Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ministri çek: Deri në 100 incidente të dyshimta në Europë mund t’i atribuohen Rusisë

Ministri çek: Deri në 100 incidente të dyshimta në Europë mund t’i atribuohen Rusisë

Një diplomat i lartë europian tha se deri në 100 “incidente të dyshimta” në Europë këtë vit mund t’i atribuohen Rusisë, pasi zyrtarët perëndimorë përpiqen të përgjigjen ndaj përpjekjeve të dyshuara për sabotim rus.

Duke folur përpara një takimi me homologët e NATO-s në Bruksel, ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský, theksoi se Europa “duhet t’i dërgojë një sinjal të fortë Moskës se kjo nuk do të tolerohet”.

“Këtë vit ka pasur 500 incidente të dyshimta në Evropë. Deri në 100 prej tyre mund t’i atribuohen sulmeve hibride ruse, spiunazhit, operacioneve të ndikimit”, u tha Lipavský gazetarëve, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Gjatë viteve të fundit, vendet europiane kanë qenë dëshmitarë të një sërë incidentesh – sulme kibernetike, zjarrvënie, pajisje ndezëse, sabotazhe dhe madje edhe komplote vrasjesh. Qëllimi i episodeve të tilla, besojnë zyrtarët e sigurisë, është të mbjellin kaos, të përkeqësojnë tensionet sociale midis aleatëve të Ukrainës dhe të ndërpresin furnizimet ushtarake në Kiev.

Shqetësimet në Europë për sulmet e mundshme hibride ruse janë intensifikuar pas miratimit të Perëndimit që Ukraina të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi të SHBA-së dhe Britanisë në sulmet brenda Rusisë.

Mark Rutte, sekretari i ri i përgjithshëm i NATO-s, paralajmëroi muajin e kaluar se “fushata intensifikuese e sulmeve hibride” e Rusisë theksoi mënyrën në të cilën Moska po e zhvendoste me shpejtësi vijën e frontit nga Ukraina “në rajonin e Balltikut, në Europën Perëndimore dhe madje edhe në ‘high north’ (rajoni në veri të Europës)”.

Shërbimet europiane të inteligjencës po studiojnë një sërë operacionesh të dyshuara ruse.

Suedia po udhëheq hetimin për sabotimin e dyshuar të dy kabllove nënujore në Detin Baltik, me zyrtarët perëndimorë që dyshojnë se një anije i preu me qëllim kabllot duke tërhequr një spirancë përgjatë shtratit të detit për më shumë se 100 milje.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një gjykatë po shqyrton rastin e një rrjeti “të sofistikuar” të spiunazhit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që dyshohet se i ka transmetuar sekrete Rusisë për gati tre vjet, duke mbledhur inteligjencë mbi objektivat në të gjithë Europën.

Policia po heton gjithashtu nëse spiunët e lidhur me Rusinë vendosën pajisje ndezëse – nëpërmjet firmës së dërgesave DHL – nëpër Europë, në Birmingham në Mbretëri të Bashkuar dhe në Leipzig në Gjermani.

Ndoshta kërcënimi më serioz ishte një komplot vrasjeje që synonte Armin Papperger, CEO i kompanisë gjermane të mbrojtjes Rheinmetall, një nga shumë firmat europiane që ndihmon furnizimin e Ukrainës.

Shefi i inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, Bruno Kahl, tha se aktet e sabotimit të Rusisë mund ta shtyjnë NATO-n të konsiderojë thirrjen e klauzolës së mbrojtjes reciproke të nenit 5 të aleancës.

Shtrirja e gjerë gjeografike dhe natyra e larmishme e kërcënimeve përbëjnë një sfidë të rëndësishme për perëndimin në mobilizimin e burimeve dhe kundërvënien efektive të agresionit rus.