Ministri i Shtetit për Evropën, Amerikën e Veriut dhe Territoret Përtej Oqeanit të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, Stephen Doughty, e ka vizituar Vuçiqin ku kanë diskutuar për marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ne diskutuam edhe për situatën aktuale në Kosovë, ku e informova ministrin në detaje për kushtet pothuajse të pamundura në të cilat jetojnë serbët dhe i bëra thirrje Mbretërisë së Bashkuar që të tregojë më shumë mirëkuptim për këtë çështje duke dënuar lëvizjet e njëanshme të Prishtinës”, ka pretenduar Vuçiqi në propagandën e tij të radhës në profilin e tij në Instagram.
Vuçiqi, ka shkruar se ka pasur “një bisedë të mirë” me Stephen Doughty, me fokus forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Serbisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Ne diskutuam për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit, duke përfshirë ekonominë, tregtinë, sigurinë kibernetike dhe migracionin”, ka shkruar Vuçiq.
Presidenti serb ka pretenduar se “ekonomia është mënyra më e mirë për lidhjen e dy vendeve dhe se e ka informuar bashkëbiseduesin “për progresin” që po bën Serbia për rritjen ekonomike dhe mjedisin e favorshëm të biznesit”, i cili, sipas fjalëve të tij, është veçanërisht i rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të huaja.