Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë vendeve me të industrializuara të botës ripohuan të hënën angazhimin e tyre për të mbështetur fuqishëm Ukrainën. Ata theksuan gjithashtu nevojën për intensifikim dhe koordinimin në zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.
Në takimin që po zhvillohet në Japoni, grupi i bëri thirrje Rusisë të tërheqë menjëherë dhe pa kushte nga Ukraina, të gjitha trupat dhe pajisjet ushtarake.
Ministri i Jashtëm japonez Hayashi Yoshimasa tha se është e rëndësishme të ruhet uniteti në zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.
Ministrat e G-7 dënuan të hënën njoftimin e bërë muajin e kaluar nga Presidenti Vladimir Putin, për dislokim të armëve taktike bërthamore ruse në Bjellorusi. Ata e cilësuan retorikë të papërgjegjshme dhe të papranueshme nga ana e Rusisë.
Rusia ishte dikur anëtare e grupit të G-8-ës, por u dëbua pas aneksimit të gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.
Të hënën një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit u tha gazetarëve se mes vendeve të grupit, kishte unitet edhe mbi qëndrimin ndaj Kinës, sikurse interesim të madh për t’u siguruar që Pekini të përmbushë angazhimin e bërë ndaj komunitetit ndërkombëtar, se nuk do të furnizojë me armë Rusinë.
Zyrtari tha se G-7 diskutoi gjithashtu lidhur me sigurinë afatgjatë dhe nevojën për investimeve në Ukrainë.
Në një njoftim të hënën të Ministrisë britanike të Mbrojtjes theksohej numri në rritje i vdekjeve mes popullatës civile në Ukrainë, si pasojë e minave.
Në njoftim thuhej se problemi është më i madh në zonat e pushtuara më herët nga trupat ruse, si në Kherson dhe Kharkiv dhe, se rreziku do të rritet, me fillimin e aktiviteteve në bujqësi.
“Që nga fillimi i sulmit janë raportuar mbi 750 viktima civile si pasojë e minave, një në tetë nga të cilët fëmijë. Me gjasë do të duhet të paktën një dekadë për ta pastruar Ukrainën nga minat”, thanë autoritetet britanike./TV Arbëria