Kërkesa e Bosnjës dhe Hercegovinës për t’u bërë vend kandidat për anëtarësim në BE është në rendin e ditës të takimit të ministrave për Çështjet Evropiane nesër në Bruksel.
Pritet që sonte ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së të marrin vendim për dhënien e statusit kandidat për BeH. Nëse ambasadorët do të japin dritën jeshile, ministrat do ta konfirmonin këtë vendim nesër dhe më pas liderët e BE-së më 15 dhjetor në samitin e tyre.
Zyrtarët e BE-së nuk mund të thonë sot nëse BE do të marrë këtë vendim për BeH dhe nëse disa vende anëtare të BE janë ende të lëkundur.
Sipas portalit evropian Euractiv, disa vende anëtare e kanë përkrahur statusin kandidat për BeH, ndërsa kundërshtarë janë Franca, Holanda dhe deri diku Gjermania, por Haga, siç thuhet, nesër nuk do ta kundërshtojë vendimin.
BeH aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2016 dhe në tetor Komisioni Evropian rekomandoi që shtetet anëtare t’i japin BeH statusin kandidat, por me një listë prej tetë kushtesh që vendi duhet të përmbushë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. /TV Arbëria