Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Miliardat e BE-së i bëjnë bashkë liderët rajonalë – Kosova e Serbia s’mund të përfitojnë pa i normalizuar raportet

Miliardat e BE-së i bëjnë bashkë liderët rajonalë – Kosova e Serbia s’mund të përfitojnë pa i normalizuar raportet

Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen këtë të hënë (22 janar) në kryeqytetin maqedonas për të diskutuar mbi të ardhmen e politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE) dhe planin e rritjes ekonomike prej 6 miliardë euro të Komisionit Evropian (KE) për vendet e Ballkanit Perëndimor – një paketë madhore e asistencës financiare për periudhën 2024-2027.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, do të jetë nikoqir i takimit që pritet të nisë në orën 09:50 në Shkup, ndërsa përveç kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, do të marrin pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kurse prezent do jetë edhe James O’Brien, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën.

“Vendi i të gjitha shteteve të rajonit është në BE dhe ne kemi potencialin dhe lidershipin e nevojshëm për të marrë vendime të guximshme për një të ardhme më të mirë. Të gjithë ne – në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, kemi nevojë për unitet dhe stabilitet”, deklaroi Kovaçevski, një ditë para takimit.

Në Shkup janë ftuar edhe përfaqësues të organizatave rajonale (RCC) dhe institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare për bashkëpunim, përfshirë përfaqësues të Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Gjashtë vendet e rajonit – Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – synojnë të anëtarësohen në BE dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij qëllimi, ndërsa plani i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor përfshin investime prej 6 miliardë euro dhe akses në tregun e brendshëm të bllokut evropian në fusha të caktuara.

E krahas Shqipërisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Turqisë, për herë të parë, paketa investuese e BE-së do të përfshijë gjithashtu dy vende të reja – Ukrainën dhe Moldavinë. Plani do të ekzekutohet pas përmbushjes së reformave të kërkura, kryesisht sa i përket përshtatjes së kornizës ligjore të BE-së dhe aspekteve të sundimit të ligjit.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, në fund të tetorit të vitit të kaluar qëndroi për vizitë në Kosovë, në kuadër të një udhëtimi katërditor në rajon, gjatë së cilës vizitoi edhe Bosnje-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, për të diskutuar për bashkëpunimin dypalësh me liderët rajonalë dhe reformat në procesin e integrimeve evropiane.

Në shoqërinë e drejtorit të Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të KE-së, Gert Jan Koopman, presidentja Leyen prezantoi detaje të hollësishme për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor në procesin e zgjerimit të BE-së, derisa përmendi edhe hapat dhe planet për përparim të shpejtë të rajonit drejt anëtarësimit të plotë në bllokun e 27 shteteve.

“Të gjitha sukseset arrihen vetëm nëse Kosova dhe Serbia normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet vete. Kosova duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, kurse Serbia duhet të japë një njohje de facto. Dhe dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja shkon në këtë drejtim. Kjo është mënyra e vetme për të shkuar përpara”, deklaroi Leyen në një konferencë.

Vizita e presidentes së KE-së erdhi pas takimeve me liderët rajonalë në Tiranë të Shqipërisë në fillim të tetorit në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë u mbajt jashtë kufijve të BE-së, duke përcjellur një mesazh të fuqishëm për zgjerimin e unionit evropian, pas stagnimit dhe sfidave në procesin e integrimit të mëtejmë të Ballkanit Perëndimor.

Një vëmendje e veçantë pritet t’i kushtohet edhe procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi sepse as Kosova e as Serbia nuk do të mund të përfitojnë nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor në rast se nuk do të ketë përparim konkret në përmbushjen e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023 dhe Ohër, 18 mars 2023).

“Një parakusht do të jetë që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive për të normalizuar raportet mes tyre me qëllim të zbatimit të plotë të të gjitha obligimeve dhe të angazhohen në negociata për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve”, thuhej ndër të tjera në dokumentin e KE-së të publikuar në tetor të vitit të kaluar.

Në këtë drejtim, ekziston bindja e liderëve se nëpërmjet armiqësive të reja nuk do të arrihen mësymjet politike, posaçërisht zhvillimi ekonomik dhe integrimet euro-atlantike të Kosovës dhe Serbisë. BE-ja dhe SHBA-ja presin që palët të kontribuojnë në krijimin dhe ruajtjen e atmosferës së normalizimit, pajtimit dhe zbatimit të shpejtë të angazhimeve të dialogut.

/Albanianpost.com

Powered by WordPress