Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Milazim Krasniqi sulmon “Lëvizjen e Deçanit”: “Katolicizmi nuk është shqiptarizëm – po tentojnë të mashtrojnë opinionin”

Milazim Krasniqi sulmon “Lëvizjen e Deçanit”: “Katolicizmi nuk është shqiptarizëm – po tentojnë të mashtrojnë opinionin”

Publicisti Milazim Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj asaj që ai e cilëson si propagandë të “Lëvizjes së Deçanit” dhe grupeve të tjera “hibride antishqiptare”, të cilat sipas tij po përhapin idenë se konvertimi në katolicizëm përforcon shqiptarizmin.

Në një shkrim të gjatë në rrjetin social Facebook, Krasniqi thekson se “katolicizmi është një religjion botëror, jo ideologji kombëtare”, duke shtuar se nuk mund të ketë asnjë barazim ndërmjet tij dhe identitetit shqiptar.

Barazimin e katolicizmit me shqiptarizmin po tentojnë ta paketojnë si të vërtetë përfundimtare, edhe pse asnjë shenjë barazie nuk mund të ekzistojë ndërmjet këtyre dy koncepteve”, shkruan ai.

Krasniqi thotë se pretendimet e këtyre grupeve janë mashtruese dhe të rrezikshme, duke argumentuar se Kisha Katolike është një institucion mbinacional me shtrirje globale, që nuk lidhet me identitete të veçanta të popujve.

Katolicizmi nuk mund të kthehet në dekor nacional të asnjë kombi… më së paku në dekor nacional shqiptar”, deklaron ai.

Ai kujton se brenda këtij religjioni sot aderojnë rreth 1.5 miliardë besimtarë, dhe për këtë arsye është “naive të mendohet se shqiptarët mund të kenë ndonjë ndikim të spikatur” në këtë doktrinë.

Në analizën e tij, Krasniqi shprehet se kontributi kombëtar i klerikëve katolikë shqiptarë vjen nga ndjenjat dhe kauzat kombëtare, e jo nga doktrina fetare.

Kontributi i tyre buron te ideologjia kombëtare dhe zhvillimet historike, jo te doktrina katolike si e tillë”.

Ai akuzon “Lëvizjen e Deçanit” se po kërkon konvertime me dhunë dhe po vepron në kundërshtim me strategjinë e Vatikanit për dialog dhe tolerancë ndërfetarë.

Është koha e fundit që Selia e Shenjtë të shprehë një qëndrim të qartë ndaj këtyre organizimeve hibride që ftojnë në konvertim me dhunë”, theksoi ai, duke shtuar se edhe shteti i Vatikanit duhet ta njohë Kosovën.

Krasniqi shkon edhe më larg në analizën e tij, duke e lidhur veprimtarinë e “Lëvizjes së Deçanit” me interesat serbe.

Ideja e tyre qendrore është dobësimi i shqiptarizmit në Kosovë… sepse pa dobësimin e shqiptarizmit nuk mund të rikthehet ndikimi i Serbisë”.

Në fund, ai thekson se katolikët shqiptarë nuk janë pjesë e kësaj lëvizjeje.

Besimtarët katolikë shqiptarë janë pjesëtarë të nderuar të kombit tonë dhe janë jashtë kësaj lëvizjeje të çoroditur”.