Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Milanoviq shpjegon deklaratën, thotë se Serbia duhet ta njohë Kosovën

Milanoviq shpjegon deklaratën, thotë se Serbia duhet ta njohë Kosovën

Presidenti kroat Zoran Milanoviq është munduar ta shpjegojë deklaratën që nxiti reagime të shumta ku tha se vendi që e drejton bashkë me ndërkombëtarët e “rrëmbyen Kosovën nga Serbia”.

Milanoviq tha se ky është fakt sepse Beogradi nuk është pajtuar me këtë gjë. “Serbia mbeti pa Kosovën, nuk e dha vullnetarisht, e humbi në luftë”, deklaroi Milanoviq.

“Unë mund të kisha thënë ndryshe, se Serbia ka mbetur pa Kosovën ose se Kosova është përjashtuar nga Serbia, por supozoj se të gjithë jemi dakord që Kosova ishte pjesë e Serbisë”, tha Milanoviq, duke shtuar se ai nuk ka pse të bindë askënd për angazhimin e tij për shqiptarët e Kosovës.

Ai po ashtu tha se gjithmonë i bën thirrje përfaqësuesve të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë një gjë të tillë.

Kreu i shtetit kroat gjithashtu deklaroi se “Serbia do të duhet ta njohë në një mënyrë Kosovën”, raportojnë mediat në Zagreb.

Ai tha se Beogradi duhet të kuptojë se do të dalë nga “romanca serbo-ruse” si një dashnor i mashtruar.

Gjatë një konference të përbashkët për media me presidenten e re sllovene, Natasha Pirc Musar, Milanoviq theksoi se në Serbi duhet të ndryshojnë “disa gjëra” në mënyrë që ajo të vijë në perëndim ku është “e mirëpritur”, shkruan Index.hr.

“Situata në Ukrainë është fillimi i fundit të një romance në dukje serbo-ruse, në të cilën Serbia do të kuptojë se është një dashnor i mashtruar”, tha presidenti kroat, duke shtuar se Serbia dhe çështja e Kosovës “e shqetësojnë Rusinë”.

“Rusia po provon diçka me Ukrainën dhe shembulli i Kosovës i del si gjemb në sy. Rusia do të duhet ta njohë Kosovën në një moment ose të pretendojë se e njeh atë në mënyrë që të legalizojë atë që po bën në Ukrainë. Ky është realiteti”, deklaroi Milanoviq.

Ai tha se “nuk ka dashuri” mes Beogradit dhe Moskës, por bëhet fjalë për interesin në të cilin Serbia i shërben Rusisë.

Themes by WordPress