Raportohet se Joshua Zirkzee do të bashkohet me Manchester United nga Bologna pasi “Djajtë e Kuq” kanë rënë dakord të paguajnë një klauzolë prej 40 milionë euro plus një komision prej 15 milionë euro.
Sulmuesi i Bolognës, Zirkzee, pritet të bashkohet me Manchester United, sipas disa raportimeve, transmeton Gazeta Express.
Eksperti i transferimeve të Sky Sport Italia, Gianluca Di Marzio, thotë se “Djajtë e Kuq” kanë informuar Bolognën se do të aktivizojnë klauzolën prej 40 milionë euro të Zirkzee, ndërsa Fabrizio Romano dhe The Athletic thonë se skuadra e Premier League ka arritur një marrëveshje të plotë me agjentin e sulmuesit, duke përfshirë një komision prej 15 milionë euro.
Romano konfirmon se trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Zirkzee gjatë javëve të fundit.
Zirkzee kishte dalë si një objektiv kryesor transferimi për gjigantët e Serie A, Milan. Rossonerët ishin gati të paguanin klauzolën prej 40 milionë euro, por u përpoqën të negocionin një tarifë më të ulët komisioni me përfaqësuesin e holandezit, Kia Joorabchian.
Zirkzee dha një sinjal se do të largohej nga Serie A këtë verë pasi bëri debutimin e tij me kombëtaren e Holandës në çerekfinalen e EURO 2024 kundër Turqisë të shtunën që lamë pas.