Ish-deputeti Milaim Zeka ka reaguar pas debatit publik mes Përparim Ramës dhe Jeta Xharrës, duke thënë se i vjen keq për Ramën pasi, sipas tij, nuk e ka njohur më herët mënyrën e veprimit të saj.
Zeka ka deklaruar se prej pasluftës ka publikuar dhjetëra shkrime kritike ndaj Jeta Xharrës, si dhe ndaj Baton Haxhiut, Vehbi Kajtazit, Adriatik Kelmendit dhe gazetës “Bota Sot”.
Sipas tij, një grup gazetarësh, të cilët ai i cilëson si “klan mafioz”, kanë qenë të lidhur me struktura të ndryshme dhe kanë dëmtuar individë, biznese dhe institucione, duke funksionuar si një “minishtet brenda shtetit”.
Në reagimin e tij, Zeka përmend edhe rastin e Lule Gjelit, duke pretenduar se ai dëshmon se si, sipas tij, njerëzit mund të përballen me akuza të padrejta. Në fund, ai pretendon se kryeministri Albin Kurti është “kapaku i tenxheres”, ndërsa shton se ky model, sipas tij, është ndërtuar nga aktorë të tjerë para tij.