Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Mijëra vetë protestojnë në Uashington kundër Kryeministrit Netanjahu

Mijëra vetë protestojnë në Uashington kundër Kryeministrit Netanjahu

Mijëra protestues kundër luftës së Izraelit në Gazë, disa prej të cilëve mbanin flamuj palestinezë, u mblodhën të mërkurën para Kapitolit në Uashington, përpara një fjalimi të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu para anëtarëve të Kongresit.

Një prej pankartave e quante Kryeministrin Netanjahu një “kriminel të kërkuar lufte” në lidhje me një urdhër arresti lëshuar nga prokurorët e Gjykatës Penale Ndërkombëtare.

Zoti Netanjahu i mohon me forcë akuzat për krime lufte. Qarkullimi u ndalua në disa rrugë pranë Kapitolit.

“Dua që e gjithë ndihma për Izraelin të pezullohet për shkak të veprimeve të tij në Gaza,” tha Bradley Cullinan, i cili tha se kishte ardhur nga Kolumbus, Ohio, 640 km larg.

Dhjetra ligjvënës demokratë po bojkotojnë fjalimin e zotit Netanjahu në Kongres, duke shprehur shqetësimin për mijëra civilët e vdekur dhe krizën humanitare shkaktuar nga fushata e Izraelit në Gazë.

Anëtarë të një grupi hebre ultra-ortodoks mbanin flamuj palestinezë dhe shenja ku shkruhej “Palestina e lirë” dhe “Anti-zionizmi nuk është antisemitizëm”, ndërsa një grup protestuesish të rinj mbanin pankarta të mëdha ku lexohej “Ndaloni armatimin e Izraelit dhe “Stop Krimeve të luftës në Gazë”.

Grupet pro-palestineze dhe studentët e universitetit kanë protestuar për muaj të tërë në Shtetet e Bashkuara kundër ofensivës së Izraelit në Gazë./VOA

Powered by WordPress