Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > ​Mijëra qytetarë vizitojnë Prekazin, nderojnë sakrificën e familjes Jashari

​Mijëra qytetarë vizitojnë Prekazin, nderojnë sakrificën e familjes Jashari

Qindra qytetarë nga treva të ndryshme shqiptare sot vizituan Prekazin, me rastin e 25-vjetorit të rënies heroike të familjes Jashari. Aty nuk munguan as mërgimtarët, të cilët vlerësuan lart sakrificën më sublime të familjes Jashari.

Ata, si çdo përvjetor, bën homazhe në kompleksin memorial të Jasharajve në Prekaz për të parë vendin ku Shaban, Hamzë e Adem Jashari u flijuan me mbi 50 anëtarë të familjes gjatë rezistencës së armatosur të tri ditëve të marsit 1998.

Për të nderuar luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prekaz kishte ardhur Nuhë Shkorreti, i cili jeton në Zvicër.

Shkorreti: Falë Jasharajve sot e gëzojmë lirinë

“Familja Jashari ka kontribuar shumë, ne sot falë tyre e gëzojmë lirinë, falë dëshmorëve, shokëve të tyre, sot ne udhëtojmë të lirë, gëzojmë këtë liri… Prekazin e vizitoj çdo vit, jetoj në Zvicër por vij çdo herë me kënaqësi, sot kam ardhur vetëm për Epopenë e UÇK-së”, tha ai.

Në Prekaz nuk munguan as të rinjtë e vendit, ku studentë e nxënës të shkollave të ndryshme madje kishin ardhur në mënyrë të organizuar.

Me grupin parlamentarë studentorë të UP-së për të kujtuar veprat e heroizmit të familjes Jashari kishte ardhur Arbër Gecaj.

Gecaj:Sot po nderojmë kontributin e familjes Jashari

“Sot ne jemi këtu për të përkujtuar kontributin që ka bërë kjo familje. Përmes nderimit të kësaj familjeje po i nderojmë të gjithë… Sakrifica dhe rezistenca që ka bërë familja Jashari jo vetëm këto tri ditë dhe këto tri netë por gjatë gjithë jetës së tyre mendoj që është gurthemeli kryesor i pavarësisë së lirisë së Kosovës por edhe vetë shtetit të Kosovës… Unë vij nga pjesa e Prekazit dhe vij më shpesh këtu, por në këta përvjetorë, qoftë i pavarësisë ose epopesë së UÇK-së, ne vijmë rregullisht këtu si grupe të organizuara ose edhe individualisht”, tha ai.

Nxënësja Ornela Gralleva nga shkolla “Selman Riza” në Fushë Kosovë, e cila tha se e viziton shpesh Prekazin tregoi se për të emocionet mbeten të njëjta.

Gralleva: Adem Jashari sakrifikoi gjithçka për Kosovën

“Adem Jashari është një hero shumë i njohur i Kosovës, ai ka sakrifikuar familjen e tij dhe veten për atdheun. Prekazin e vizitojmë shpesh sepse kemi dëshirë te përkujtojmë heroin tonë i cili ka luftuar për neve”, tha ajo.

Se historia e familjes Jashari është shembull në historinë e vendit e tha Ganimete Tolaj.

Lufta e lavdishme e UÇK-së për të mbetet lavdia më e madhe e Kosovës.

Tolaj: Jasharajt shembull për kombin

“Familja Jashari është një shembull për kombin, që nuk vdes kurrë është një histori në vete. Kemi bërë shumë pak për këtë familje dhe i kemi shumë borxh duke i ditur situatat politike në Kosovë. Në Prekaz vijmë shumë shpesh brenda vitit sepse na lidh edhe me familjet tona që i kemi shumë të vrarë dhe të zhdukur, po ashtu kam punuar shumë për viktimat e dhunuara në Kosovë, për të cilat është bërë shumë pak. Është mjaft dhimbje e madhe duke e ditur se krimet duhet të kenë një zë të fuqishëm dhe Serbia po bënë gjenocid dhe gjithçka tjetër në Kosovë , ku asnjë gjykatë shtetërore nuk ka bërë asgjë për këtë luftë”, tha ajo.

Për nder të 25-vjetori të Epopesë së UÇK-së, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, homazhe kanë bërë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca si dhe krerë të subjekteve politike.

/TV Arbëria

Powered by WordPress