Që prej të enjtes Presidentja Vjosa Osmani është duke reaguar në vazhdimësi rreth incidentit në Aeroportin e Shkupit ku u përfshi. Këtë e bëri edhe të martën pasi mbeti e hidhëruar me trajtimin që iu bë rastit të saj nga Kryeministri Albin Kurti dhe homologu i tij Hristjan Mickoski. Kurti tha se po pret raport, ndërsa Mickoski tha se rregullave në zonën VIP në fluturime komerciale i nënshtrohet edhe ai edhe Presidentja e RMV’së. Duke iu përgjigjur Kurtit, Osmani tha se raportet për rastin i ka përgatitur edhe Presidenca edhe Policia dhe se ato janë të qasshme qe disa ditë. Tutje, ajo tregoi për shtetet që i ka vizituar duke thënë se s’kanë kërkuar skanimin as të cantës as të telefonit e as të trupit. Tha se për rastin ka folur edhe me Presidentë tjerë që i kanë dhënë të drejtë. Pa shpjeguar shumë tha se situata është e tejkalueshme nëse ka vullnet Shkupi.
Presidentja Osmani pati një përvojë të hidhur në aeroportin e Shkupit të enjten që lamë pas. Sipas Presidencës sigurimi aty ka tentuar t’ia marrë telefonin personal Osmanit dhe se ka tentuar ta shtyjë atë. Ky rast nga presidenca u konsiderua “në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”.
Pa kaluar një javë nga ky incident kryeministri Kurti shkoi dje në Shkup në vizitë pune. Nga zyra e kryeministrit u kujdesën që të mos lidhen këto dy raste duke thënë se vizita ishte ishte dakorduar më 20 korrik, pra para incidentit të Osmanit.
Atje Kurti u takua me kryeministrin Mickoski dhe më pas mbajtën konferencë për media, ku folën edhe për incidentin e Osmanit.
Mickoski shprehu keqardhje për rastin, mirëpo theksoi se edhe ai dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut i nënshtrohen procedurave të njëjta kur kanë fluturime komerciale.
Madje ai u tregua i gatshëm që kurdo që të shkojë presidentja Osmani në Shkup të dalë ta presë atë si nikoqir.
“Sipas informacioneve që i kemi nga personat zyrtarë të aeroportit është se ndiqen standarde të qarta dhe procedura ndërkombëtare kur kemi fluturime komerciale, dhe se këtyre procedurave i nënshtrohem edhe unë si kryeministër i Maqedonisë, presidentja e Maqedonisë dhe të gjithë personat zyrtarë që kalojnë pjesën VIP, edhe pse dua të them se unë atë nuk e përdor. Na vjen keq dhe nuk duam të përsëritet. Unë personalisht theksova se presidentja e Kosovës është e mirëseardhur si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës dhe radhën e ardhshme, nëse marr informatë në kohë, do të kem kënaqësi ta pres si nikoqir në aeroportin e Shkupit dhe ta shoqërojë në kohën që do ta kalojë në aeroportin e Shkupit që t’u shmangemi këtyre incidenteve dhe sjelljeve të individëve që është problemi ynë i brendshëm që do ta zgjidhim brenda shtetit tonë”, tha Mickoski.
Ndërsa, Kurti nuk u rreshtua me versionin e Osmanit për incidentin. Kurti tha se ai ka qenë përjetim i rëndë për Osmanin meqë ka qenë më familje, por shtoi se raporti zyrtar do ta zbardhë këtë çështje “në tërësi dhe hollësi”.
“Pa dyshim që ka qenë përjetim dhe përvojë e rëndë e presidentes së Republikës së Kosovës, shkëlqesisë së saj, zonjës Vjosa Osmani, më 2 gusht në aeroportin e Shkupit, aq më tepër që ka qenë me familje dhe me dy vajzat e vogla. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, krerët shtetërorë këtu kanë shprehur keqardhjen e tyre dhe do të ketë një raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje në tërësi dhe në hollësi edhe që të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur, por edhe që të mos na përsëriten kurrë më situatat e tilla… Sjelljet e shëmtuara, shkeljet e rregullave, që të gjitha këto që janë thënë tashmë do të zbardhen nga një raport zyrtar pas hetimit përkatës dhe unë kam dëgjuar sot dhe duke parë komunikatat e dy ministrive tona të jashtme jam shumë optimist për të ardhmen se nuk do të përsëriten më situata të tilla dhe njëkohësisht keqardhja që është shprehur më herët publikisht është përsëritur edhe sot në takim”, tha Kurti.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar sot Presidenca e Republikës së Kosovës, duke thënë se Osmani “asnjëherë nuk ka kërkuar tejkalim apo shkelje të procedurave, por respektim të rregullave ndërkombëtare, siç bëhet në të gjithë botën”.
Presidenca tha se mënyra se si u trajtua dje ky incident në konferencën e përbashkët të kryeministrit Albin Kurti dhe homologut të tij maqedonas, Hristijan Mickoski, është për keqardhje.
Ajo iu përgjigj deklaratës së Kurtit për raport duke thënë se raportet nga Presidenca dhe Policia e Kosovës janë të finalizuara dhe të qasshme.
Në reagim thuhet se është synuar të mos bëhet publik incidenti “me qëllim të ruajtjes së raporteve mes dy shteteve” por janë deklaruar pas “një propagande të përmasave të papara” kundër presidentes.
“Siç është thënë edhe në reagimet e mëparshme, Presidentja Osmani përgjatë tërë karrierës së saj politike, e në veçanti përgjatë mandatit të saj si Presidente e vendit, ka kontribuuar në zhvillimin dhe thellimin e raporteve pozitive me Maqedoninë e Veriut. Mirëpo ajo nuk mund ta pranojë, në asnjë mënyrë, baltosjen e Republikës së Kosovës. Kjo situatë është lehtë e tejkalueshme nëse ekziston vullnet politik nga Shkupi zyrtar.”
Në reagim është lënë të kuptohet se Osmanit i është kërkuar edhe “full body scan”, apo skanimi i tërë trupit.
Presidenca reagoi edhe një ditë pas incidentit, duke shprehur indinjatë për reagimet që janë bërë nga institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për atë që presidenca e ka cilësuar “propagandë” në mediat atje kundër Republikës së Kosovës.
Presidenca e Kosovës më 2 gusht ka thënë se në vend se të kërkojnë falje, gjatë të enjtes dhe të premtes, Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë ka arsyetuar në tërësi kërkesën e sigurimit të aeroportit të Shkupit për të vendosur në skaner edhe telefonin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në reagim të Presidencës janë demantuar të gjitha raportimet që pretendojnë se presidentja Osmani s’ka pranuar që ta japë çantën e saj për skanim dhe gjithashtu i kanë cilësuar si skandaloze pretendimet se presidentja Osmani ka pasur diçka të dyshimtë në çantën e saj.
Presidenca ka thënë se situata e ndodhur në Aeroportin e Shkupit s’mund të shpjegohet e as vlerësohet ndryshe, përveç se një provokim i pastër për të shkaktuar incident.
Për këtë deklaratë të Osmanit u pyet Kurti dje në Shkup. Ai tha: “Nuk e di që kemi pasur si institucione të Republikës qëndrim të tillë. Mund ta ketë thënë ndokush prej qytetarëve, por jo institucionet e Republikës”.
Mbrëmë në një prononcim për Gazetën Express, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka sqaruar deklaratën e Kurtit. Ai tha Kurti se nuk ka mundur të thotë provokim pasi po pret raportin.
“Kryeministri Kurti po e pret raportin zyrtar, andaj nuk mund të thotë paraprakisht atij raporti se ishte provokim, meqenëse provokimi është gjithmonë me paramendim, pra i qëllimshëm. Kjo del nga hetimi që mandej prodhon raportin të cilin po e presim. Ai ka folur për faktet (“sjellje të shëmtuara” e “rregulla të shkelura”) që janë përjetim i rëndë dhe përvojë e hidhur e Presidentes dhe familjes së saj, jo për motivet dhe qëllimet e një sjelljeje të tillë e të cilën duhet të na e zbulojë hetimi dhe raporti. Do të ishte kundërthënie logjike që Kryeministri Kurti edhe ta quajë provokim edhe të kërkojë raport”.
Çka ka ndodhur?
Bekim Kupina, Këshilltar për Media në presidencë, të enjten i tha Gazetës Express se sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes, gjë të cilën nuk e ka lejuar Osmani. Sipas Kupinës, sigurimi më pas ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten dhe se pastaj ka reaguar Policia e Kosovës për të hapur rrugën.
Ai ka shtuar se i është dashur të kontaktojë në Slloveni sepse Aeroporti i Shkupit ka deklaruar se nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shume se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen. Por sipas presidencës, kjo gjë u mohua nga sllovenët.
Kupina tha se presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit z.Afrim Gashi, “të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar”.
Për këtë, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë se një nga pjesëtarët e sigurimit të Presidentes ka ndërhyrë me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Në reagim thuhet edhe se një person nga sigurimi i Gashit dhe dy policë kanë filluar të kërcënojnë punëtorët e TAV.
“Sot (01.08.2024) rreth orës 10:00 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, teksa presidentja e Kosovës po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj është larguar nga punonjësja e TAV-së, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore. Por më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit Gashi (polic) me dy persona të tjerë (polic) dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e TAV-së dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentit. Në të njëjtën kohë ka shtyrë edhe një punonjës policie që punonte në pikën kufitare. Menjëherë është njoftuar Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminale dhe Standarde Profesionale dhe po merren masa për zbardhjen e rastit në koordinim me PTHP për QKK-në, pas së cilës do të dorëzohen parashtresat përkatëse”, thuhej në njoftimin e MPB të Maqedonisë.
Kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka mohuar përfshirjen e pjesëtarëve të sigurimit të tij personal në incident.
Në njoftimin e tyre thuhet se anëtarët e ekipit të sigurimit të Kryeparlamentarit Gashi kanë qenë të pranishëm aty vetëm për ta qetësuar situatën e krijuar nga një keqkuptim mes sigurimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe pjesëtarëve të sigurimit të aeroportit.
Mickoski, dje kur u pyet për këtë tha se pas raportit zyrtar “askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe se të gjithë personat do të vihen para përgjegjësisë”.
“Sa i përket pyetjes suaj ka institucione kompetente që do ta ndriçojnë rastin ën dy pjesë. Pjesa e parë ka të bëjë deri në momentin kur nuk vjen personi për të cilin e theksuat dhe pjesa e dytë ka të bëjë pasi vjen personi të cilin e theksuat ju. Nëse institucionet konstatojnë tejkalim apo kryerje të veprës penale atëherë ju siguroj që personi do të nxirret para drejtësisë. Askush nuk do të jetë mbi ligjin, nuk ka persona që do jenë mbi ligjin derisa të jem unë kryeministër, kur unë nuk do të jem kryeministër mund të ketë raste të tilla por derisa të jem unë kryeministër nuk do të jetë askush mbi ligjin”, tha Mickoski.