Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Metamorfoza e arrogancës

Metamorfoza e arrogancës

Shkruan: Afrim Haliti

“Unë kurrë nuk mbijetoj, unë jetoj. Fuqishëm!” thoshte Albini dikur me një arrogancë dhe një lloj vetëlartësimi teatral.

Kur Princi e sheh se arroganca dhe frika nuk po i funksionojnë më, ai duhet ngadalë të provojë afërsinë dhe dashurinë, qoftë edhe nëse këto aktrohen. Nuk e bënë këtë Princi për shkak se e ka rizbuluar afërsinë e dashurinë por për shkak se i ka zbuluar kufijtë e vet. Është instinkt. Jo i jetesës së fuqishme! Është instinkt i mbijetesës… thoshte Machiavelli.

E mbijetesa të shtyen të bësh gjëra të çuditshme pa e ndryshuar se kush dhe çfare je në thelb. Por tash me një maskë të re, më të butë, më të ëmbël e më njerëzore. Kjo nuk është rastësi. Është rit i vjetër i regjimeve. Ai që për vite të tëra tallej me institucionet papritur fillon me buzëqeshë; ai që mediat i shihte si armiq papritur ulet në një studio televizive pa pikë fytyre; ai që dikur fliste me grimasa arrogante e me pështymë rreth gojës, tani në studio na flet sikur ka ardhë aty për të shëruar plagët e përbashkëta.

Ky është ai momenti kur regjimi e kupton brishtësinë e vet dhe përpiqet të shndërrohet në vet butësinë. Mirëpo keni kujdes sepse kjo nuk është pendesë por strategji. Është shfaqje e lehtë autoritare në formën e një përulësie performative jo për ta shëruar vendin por për ta joshur edhe një herë. Sikurse ai truku i vjetër politik ku grushti i hekurt vishet me dorëz mëndafshi jo për shkak se është zbutur por sepse ka frikë në mos po i rrëshqet kontrolli nga grushti.

Koha e këtij transformimi po shihet prej aeroplanit. Pas dështimit për të krijuar qeverinë në fillim të vitit, me zgjedhjet që po afrohen shpejtë, dhe me disa sondazhe jopublike, Albinit papritur i kujtohen mediat që i shante dhe u fut në studio i sigurt, aty ku askush nuk e morri mundin ta vë në siklet me pyetje që meritojnë sqarime. Aty ai foli i qetë me një lloj butësie artificiale të paparë. Sepse kur autoriteti vihet në pikëpyetje, autoriteti përpiqet të duket më njerëzor.

Unë këtë e shoh si instinktin më të pastër të mbijetesës politike. Jo si pendesë. Jo si reflektim. Jo si ndryshim. Por vetëm si përpjekje e radhës për ta ruajtur atë që po i largohet ngadalë.

Historia ka plot liderë që zbuten vetëm kur nuk kanë çka të bëjnë. Derisa ndihen të fuqishëm, flasin duke bërtitur deri në shterrje të zërit. Kur fillojnë me u frikësu, pëshpërisin. Si në studio.

Por asnjë monolog në TV nuk e shpërlanë arrogancën e gjashtë viteve. Nuk mund ta sulmosh median gjatë krejt mandatit e pastaj të presësh me të duartrokitë.