Shkruan: Afrim Kasolli
Çdo popull i ka sentencat e tij të thjeshta dhe të thukta me anë të të cilave transmetohen mesazhet dhe njohuritë e shtresëzuara ndër shekuj gjatë përvojës së tij kolektive. Ato mund të jenë bukolike dhe u mungon shpeshherë fisnikërimi spekulativ filozofik, por si të tilla ato e përçojnë një thirrje dhe detyrim moral që derivon nga jeta e përditshme. Si të tilla, në raste të rrala këto sentenca përdoren edhe në komunikime politike në mënyrë që të transmetohet qartë, pa ekuivoke dhe dy kuptimësi një mesazh diplomatik, kur janë shterur të gjitha format tjera.
E kësaj natyre mund të konsiderohet sot edhe thirrja e Ambasadorit amerikan Jeff Hovenier ndaj Qeverisë së Kosovës që ta ndryshojë qasjen dhe sjelljen e saj, në raport me proceset euroatlantike dhe synime e Kosovës për të integruar në strukturat e BE-së.
Ai e quajti non sens logjik pretendimin për t’u anëtarësuar në këtë bllok pa bashkërendim me BE-në. Madje këtë gjë e artikuloi nëpërmjet një mesazhi, që në shikim të parë duket brutal, kur pohoi se “mos urinoni në klubin ku doni të hyni’.
Duke iu referuar mësimeve morale të gjyshit të tij, diplomati amerikan, ndër të tjera ka deklaruar “ se gjyshi im ka pasur një thënie njëherë, dhe ju lutem me falni për karakterin paksa të shëmtuar të në të, nëse dëshiron t’i bashkohesh një klubi, mos urino në derën e klubit. Qëllimi im se çka dua të them është se ne duam të përkrahim Kosovën në rrugën euroatlantike, kemi bërë shumë, presidentë, sekretarë të shtetit e ambasadorë për të avancuar këtë. Ne duam të ndihmojmë. Presim çdo qeveri e Kosovës të na jap argumentet më të mira, municionet më të mira në këto bisedime”.
Sidoqoftë, ky mesazh ka nxjerr në sipërfaqe edhe një fakt tjetër. Se si popuj të ndryshëm dhe largët nga njeri tjetri shpesh herë mund të krijojnë sentenca të përafërta që e shterin të njëjtin kuptim. Bie fjala, edhe shqiptarët e kanë një thënie të ngjashme me urinimin për t’i pasqyruar fenomene të tilla. Te ne thuhet shpesh “mos i urino të gjitha qershiat që më pastaj të kthehesh dhe t’i hanë ato nga iluzioni se këtë nuk e ke urinuar e këtë po, deri sa në fund nuk mbetet asgjë nga to. /TV Arbëria