Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka përsëritur kritikat e saj ndaj liderit të CDU/CSU-së dhe kandidatit kryesor në zgjedhjet parlamentare të këtij muaji, Friedrich Merz, duke thënë se ajo nuk mund të qëndrojë e heshtur për përpjekjen e tij për ligjet e imigracionit me votat e ekstremit të djathtë, Alternativës për Gjermaninë (AfD).
Duke folur në një ngjarje të Die Zeit mbrëmë, ajo tha se ndërsa ishte e vendosur të mos përfshihej në “debate normale politike”, ajo tha se çështja e migrimit dhe ‘muri mbrojtjës’ kundër të djathtës ekstreme është e “një rëndësie thelbësore”.
Ajo tha se veprimet e Merz rrezikonin t’i bënin diskutimet e koalicionit paszgjedhor më të komplikuara dhe të bezdisshme e që është e panevojshme për votuesit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Ka një shkallë polarizimi (dhe) trazirash”, paralajmëroi ajo.
“Tani duhet të gjendet sërish një gjendje në të cilën kompromiset janë të mundshme, sepse nuk duket se ndonjë grupim politik do të marrë një shumicë absolute”, tha ajo.
Merkel hodhi poshtë gjithashtu çdo nocion se veprimet e saj në kulmin e krizës së emigracionit në mesin e viteve 2010 kontribuuan në ngritjen e AfD-së, duke thënë se partia në anketa ishte 11% kur ajo la postin.
“Fakti që është tani në 20% nuk është më përgjegjësia ime”, tha ajo.
Por ajo pranoi se duhet bërë më shumë punë për të “bindur” ata që kërkohet të largohen nga vendi dhe duhet bërë përparim në dixhitalizimin e të dhënave të imigracionit për të përshpejtuar proceset e vendimmarrjes dhe largimet.
Një sondazh i YouGov i botuar dje tregoi se disa nga komentet e Merkelit duket se rezonojnë me publikun e gjerë: tre të katërtat e votuesve me të drejtë vote thanë se partitë në spektrin demokratik “janë larguar më tej” dhe katër nga pesë ishin të shqetësuar se çfarë mund të nënkuptojë kjo për bisedimet e ardhshme të koalicionit.
Por ata gjithashtu duan që të bëhet diçka për politikën e imigracionit dhe azilit, të cilat u renditën në krye në listën e çështjeve me rëndësi, të përmendura nga 35% e votuesve – shumë përpara ekonomisë (16%), mjedisit (7%) dhe mbrojtjes dhe sigurisë (6%).