Pjepri është një frut i freskët i stinës që mbush tryezat me ngjyrë, aromë dhe shije.
Në larminë e frutave që gjenden në treg, pjepri ndonjëherë lë shumë për të dëshiruar.
U ka ndodhur të gjithëve që pasi keni blerë pjeprin në dukje të mirë, kur e keni hapur në shtëpi keni zbuluar me keqardhje që pjepri nuk është as i ëmbël e as i pjekur.
Veçoritë Dalluese Të Një Pjepri Të Pjekur Dhe Të Ëmbël
Një pjepër i pjekur dhe i ëmbël ka këto veçori që i gjeni të listuara nga AgroWeb.org:
Lëvorja e pjeprit të ëmbël ka ngjyrë të verdhë kremoze dhe jo ngjyrë gri ose jeshile.
Maja e pjeprit është e zbardhur.
Lëvorja nuk ka të nxira ose njolla të qullëta në prekje.
Mbajeni pjeprin në duar.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, ai duhet të peshojë, pra të ketë ndjesinë e rëndesës, si edhe të përcjellë ndjesinë e fortësisë.
Në anën fundore, pjepri ka një gropëz rrumbullake e cila duhet të jetë pak e butë.
Sa i përket aromës, pjepri i mirë duhet të mbajë një aromë të përzier myshku dhe ëmbëlsie.
Vlerat Dhe Përfitimet E Pjeprit
Pjepri bën pjesë në kategorinë e frutave më tepër mirëbërëse për organizmin e njeriut.
Ky frut i ëmbël ul stresin dhe mërzitjen, madje lufton të nxehtin e stinës, si edhe parandalon plakjen e parakohshme të organizmit.
Pjepri është i pasur me hekur, kalçium, fosfor dhe me sidomos me Vitamina A dhe C të domosdoshme për organizmin.
Fruti cilësohet si një nga frutat më të vyer për të shmangur problemet me veshkat, madje përmirëson shikimin dhe ofron vlera për kockat dhe dhëmbët.
Por pjepri gjithashtu ofron përfitime edhe në mbrojtjen e shëndetit të zemrës, falë adenosinës, një substancë natyrale që ndihmon qarkullimin e mirë të gjakut dhe parandalon infarktet.
Këshilla e AgroWeb.org është të hani sa më shumë pjepër tashmë që është edhe sezoni i duhur. /AgroWeb.org