Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mendësia “skizoido-politike” e kryeministrit Kurti, dikur kërkonte shtim të trupave të KFOR-it për mbrojtje nga Serbia, sot thotë se nuk na nevojiten

Mendësia “skizoido-politike” e kryeministrit Kurti, dikur kërkonte shtim të trupave të KFOR-it për mbrojtje nga Serbia, sot thotë se nuk na nevojiten

Shkuan: Afrim Kasolli

Nëse ka diçka që e ka veçuar qasjen e Kryeministrit Kurti, veçanërisht prej se e drejton Qeverinë, sa i përket si politikës së Jashtme, ashtu edhe raporteve me aleatët perëndimorë, në masë të madhe, ka qenë shpërdorimi i këtij aseti strategjik shtetëror, për nevoja të brendshme elektorale. herë duke e portretizuar prezencë e tyre si të domosdoshme e herë të panevojshme.

Si rast tipik i kësaj mendësie “skizoide-politike” mund të veçohet pretendimi i tij i shpalosur para pak dite në një tubim me qytetarë në qytetin Gjilanit.

Si duket i entuziazmuar dhe dehur nga dalldia elektorale, apo nga zjarrmia e këngëve epike dhe patriotike të kandidates për deputete të këtij subjekti politik, Edona Llalloshi, për të cilën lideri i Vetëvendosjes e ka edhe “hijen e lisit, e majën plisit”, Albin Kurti, shkoi deri atje sa të thotë së tashmë nuk kemi nevojë për Amerikën për t’u mbrojtur nga Serbia.

Natyrisht, sipas tij, e para është domosdoshme për të na garantuar sigurinë nga Rusia, por jo për këtë fundit. Ngase “ne jemi më të qëndrueshëm se sa ky shtet. Kombi shqiptar është më i lashtë e më i madh. Kështu, Amerika dhe Evropa, janë miqtë, partnerët dhe aleatët tanë, por për t’u mbrojtur nga Serbia tashme e kemi ushtrinë tonë dhe komandantin Bashkim Jashari”, ka përfunduar kryeministri Kurti.

Sidoqoftë, pretendime të tilla, përpos që janë një keqlexim cinik i realitetit politik ,si në Kosovë ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, po ashtu e vënë në sprovë qëndrueshmërinë e shtetit të Kosovës.

Fillimisht, Rusia nuk paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për shtetin e Kosovës, ngase kjo e fundit është e rrethuar me përjashtim të fqinjit verior, me vende anëtare të NATO-së. Dhe nëse lideri rus ka dëshmuar diçka prej se është në pushtet, është pikërisht shmangia e konfrontimit me shtetet e kësaj aleance. Ai deri më tani ka pushtuar Gjeorgjinë në vitin 2008, Ukrainën në vitet 2014 dhe 2022, dhe mban ushtarë në Moldavi.

Mirëpo, kurrë nuk ka pasur guxim të konfrontohet me Aleancën më të fuqishme ushtarake në planet. Natyrisht, Moska e përdor rastin e Kosovës si levë për të avancuar interesat e saj nacionale. Dhe nuk është e rastësishme që edhe një herë presidenti Putin, gjatë intervistës me gazetarin kontrovers amerikan Tucker Carlson, ka pohuar se me Perëndimin mund të merret vesh për Kosovën nëse merren në konsideratë edhe pretendimet e tij gjeopolitike. Ndërkohë, janë të njohura krahasimet që ka bërë ndërmjet rastit të Kosovës dhe gadishullit të Krimese si dhe rajoneve tjera rusishtfolëse në Ukrainë. Ku sipas tij, edhe këto kanë të drejtë për shkëputje nga ky shtet, ashtu sikur Kosova që u shpalli pavarësinë në vitin 2008.(Sa janë të qëndrueshme këto krahasime është temë tjetër).

Kuptohet, ai ka interes për shtim të tensioneve në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në vatra tjera të krizave, sikurse në Lindje të Mesme, nëpërmjet forcave proxy të tij, me qëllim që ta zhvendos vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, veçanërisht nga lufta nga Ukrainë.

E dyta, ai pohim bie në kundërshtim edhe me vetë dhe thirrjet e mëhershme të kryeministrit Kurti, për shtim të trupave të NATO-së në Kosovë, për ta na mbrojtur nga Serbia. Ishte i njëjti që pas trazirave në pjesën veriore, kur serbët lokal kishin bllokuar rrugët në atë pjesë, kishte kërkuar prezencë me të madhe të KFOR-it, në një intervistë për mediumin gjerman , Die Welte. Sipas tij, ky shtim duhej të bëhej, pas tensioneve të fundit me Serbinë. Ndërkohë, kur kjo aleancë e shtoi këtë numër pas sulmit paramilitar dhe terrorist nga Serbia, me 24 shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë polici hero, Afrim Bunjaku, Kurti e kishte lutur, komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutash, që atë kontingjent ta koncentronin “në ruajtjen e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Sidoqoftë, kjo “kthese e bafasishme” e të parit të Qeverisë së Kosovës, mbase ka të bëjë më dy motive kryesore. Sepse ishte vendosmëria e kësaj aleance, sidomos insistimi amerikan, që e pengoi Qeverinë e Kosovës, për ta kapitalizuar elektoralisht, krye temën e saj për veriun, hapjen urës mbi lumin Ibër edhe për qarkullim për veturave, duke i dhënë kështu një goditje fatale narracionit të tij për çlirimin përfundimtar të asaj pjese të Kosovës, dhe e dyta, mbase për shkak të dërgimit trupave shtesë nga Aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s për zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, nga frika e tensionimit të situatës, duke krijuar kështu përshtypjen se edhe veprimet e Qeverisë së Kosovës, janë në mbikëqyrjen e saj.

I frutuar nga dështimi i parë dhe i perceptuar nga sytë e NATOS-së si burim i mundshëm i tensioneve për përfitime të brendshme politike, atëherë kryeministri Kurti, nën ndikimin e adrenalinës elektorale nga bina e foltores në Gjilan “vendosi” ta shpall të panevojshme prezencën e saj për të na mbrojtur nga Serbia. /TV Arbëria