Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Memli Krasniqi viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Drejtësia për çlirimtarët po afrohet

Memli Krasniqi viziton Thaçin dhe Veselin në Hagë: Drejtësia për çlirimtarët po afrohet

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot një tjetër vizitë në Hagë, ku u takua me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veselin. Të dy po mbahen në paraburgim që prej gati pesë vitesh, në kuadër të një procesi që Krasniqi e cilëson si të tejzgjatur dhe të padrejtë.

“Edhe këtë herë, në çdo fjalë të tyre, e ndjeva të gjallë bindjen e palëkundur se drejtësia për çlirimtarët tanë po afrohet,” deklaroi Krasniqi pas takimit.

Ai theksoi se Thaçi dhe Veseli bartën mbi supet e tyre “vetëm atë që populli kërkoi: luftën për liri”, duke shtuar se “liria, askund e asnjëherë, nuk është as mëkat e as faj”.

Sipas Krasniqit, të dy liderët janë në gjendje të mirë shëndetësore, optimistë dhe të lidhur ngushtë me zhvillimet në Kosovë. “Ata janë me Kosovën në çdo orë e çdo ditë. Gëzojnë për çdo lajm të mirë dhe ndajnë dhembjen me ne kur lajme të tjera rëndojnë mbi popullin tonë,” shtoi ai.

Në përmbyllje të deklaratës, Krasniqi tha se është i bindur se drejtësia do të mbizotërojë: “Koha do ta nxjerrë të vërtetën në dritë dhe drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë mbi çdo padrejtësi”

Ai citoi edhe fjalët e ish-Presidentit Thaçi gjatë takimit: “Dielli do të lind përsëri!” /TV Arbëria