Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar sot ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisë së tij që nuk e lejuan të shtunën kryetarin e Reçakut, Adem Ramadani (ish-ushtar i UÇK-së) që të flas në ceremominë përkujtimore të masakrës së Reçakut.
“Duhet të jesh i paskrupullt dhe skajshmërisht mosmirënjohës, si Albin Kurti, që të të pengojë fjala e luftëtarëve të lirisë dhe prezenca e tyre nëpër aktivitete publike”, tha Krasniqi.
“Ndalimi nga ana e Qeverisë i fjalës së Kryetarit të Reçakut, ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Ramadani, në Akademinë Përkujtimore për 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, vetëm pse ai do të përmendëte Hashim Thaçin e Kadri Veselin në fjalim, fatkeqësisht, është në vazhdën e sulmeve të njëpasnjëshme që ky kryeministër po u bën vlerave të luftës çlirimtare dhe veteranëve tanë”, tha ai.
Kreu i PDK-së tha se gabim mund të quhej kur ky veprim ndodh një herë, por kur diçka e tillë përsëritet në vazhdimësi, atëherë sipas tij, kemi të bëjmë me qasje e qëllim, me politikë të paramenduar qeveritare.
“Ndërsa, si për ironi e pa fije turpi, Albin Kurti fjalë të mira dhe elozhe dje thuri vetëm për Oliver Ivanoviqin – të cilin sa ai ishte gjallë, edhe vet e akuzonte për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve në Mitrovicë gjatë periudhës së luftës. E pas luftës, Ivanoviqi i dashur i Albinit, ka qenë shefi i “Rojave të Urës” që me dhunë e terror e kanë mbajtur të ndarë qytetin e Mitrovicës”, tha ai.
/TV Arbëria