Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kërkuar nga Albin Kurti që të jap zyrtarisht dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit.
Krasniqi ka theksuar se logjika e Qeverisë për të lejuar që një person të jetë njëkohësisht kryeministër dhe deputet është absurde dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese.
“Kurti le të japë dorëheqje, është shumë e thjeshtë, ka me e shkru një letër me thanë: Jap dorëheqje prej pozitës së kryeministrit. Bashkë me ministrat, që edhe ata duhet me dhënë dorëheqje dhe mund të vij pastaj të betohet si deputet. Por, Kushtetuta e Kosovës dhe ligji i qeverisë, që vetë e kanë shkruar thotë që kryeministri s’mund të bëhet deputet”, ka thënë kreu i PDK-së.
Krasniqi rikujtoi se me këtë logjikë të Kurtit edhe Bedri Hamzës do t’i takonte të ishte deputet i kësaj legjislature.
“Pse nuk është Bedri Hamza këtu? Sepse e ka respektuar ligjin dhe kushtetutën, ka dhënë dorëheqje, sepse e di që nuk mundet me e dhanë betimin duke pasur pozicion ekzekutiv. E këta po duan edhe ekzekutiv dhe legjislativ”, ka theksuar Krasniqi.