Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Meloni merr pjesë në shënimin e ditës së çlirimit të Italisë nga fashizmi

Meloni merr pjesë në shënimin e ditës së çlirimit të Italisë nga fashizmi

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorave me lule për të shënuar Ditën Kombëtare të Çlirimit të Italisë. Në këtë ditë shënohet përfundimi i fashizmit dhe pushtimit nazist më 1945.

Në Ditën e Çlirimit italianët rëndom mblidhen dhe kjo ditë shënohet me parada.

Por, për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, Italia po udhëhiqet nga një parti, origjina e të cilës është në të kaluarën post-fashiste të shtetit. Shënimi i kësaj dite këtë vit është përcjell me kundërthënie.

Në mesin e personave që morën pjesë në ceremoninë e mbajtur në Romë ishte koleksionisti i kujtimeve fashiste, Ignazio La Russa, që është kryetar i Senatit. Posti që ai mban është i dyti në shtet, sipas Kushtetutës italiane.

Disa ditë më parë, ai u citua të ketë thënë: “Nuk ka asnjë referencë në Kushtetutën italiane sa i përket anti-fashizmit”.

Komentet e tij nxitën kritika nga politikanët e qendrës së majtë, të cilët kërkuan që ai të japë dorëheqje.

Edhe në të kaluarën, La Russa kishte bërë deklarata lidhur me të kaluarën fashiste të Italisë.

Kryeministrja e ekstremit të djathtë, Giorgia Meloni, ka refuzuar që të dënojë deklaratat e La Russas, por ka tentuar që ta distancojë veten nga fashizmi, përmes një letre të publikuar në gazetën italiane, Corriera della Sera.

“Për vite të tëra, partitë politike të krahut të djathtë në Parlament kanë shfaqur paaftësinë e tyre përmes nostalgjisë për fashizmin”, tha ajo.

Duke e quajtur Ditën e Çlirimit si “festë për liri”, Meloni shkroi se “thelbi i 25 prillit ka qenë dhe vazhdon të mbetet afirmimi i vlerave demokratike, që fashizmi i kishte nëpërkëmbur dhe të cilat i gjejmë të përfshira në Kushtetutën republikane”.

Ajo ka fajësuar politikanët se përdorin fashizmin si “mjet për të delegjitimuar kundërshtarët politikë: një lloj arme për përjashtim masiv”.

Meloni udhëheq Qeverinë më të djathtë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Partia e saj, Vëllezërit e Italisë, është pasardhëse e drejtpërdrejtë politike e Lëvizjes Socialiste Italiane, që ishte formuar pas luftës nga anëtarët e Partisë Fashiste të Benito Mussolinit.

Kur kishte qenë 19-vjeçare, Meloni kishte deklaruar për një televizion francez:

“Mendoj se Mussolini ka qenë një politikan i mirë. Gjithçka që ka bërë, e ka bërë për Italinë. Në 50 vjetët e fundit ne nuk kemi pasur asnjë politikan si ai”.

Ajo ka tentuar që ta paraqesë vetes si një lidere të besueshme në Evropë, që kur është bërë kryeministre e Italisë gjashtë muaj më parë. Meloni ka befasuar italianët dhe aleatët evropianë, duke shfaqur një qëndrim më të moderuar për një sërë çështjesh, duke nisur nga buxheti i shtetit të Italisë e deri te mbështetja që ka ofruar për NATO-n dhe Ukrainën.

/TV Arbëria

Powered by WordPress