Me ftesë të homologut të tij, ministrit të Mbrojtjes të Finlandës, Antti Kaikkonen, ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, së bashku me delegacionin në përbërje të gjeneral Gëzim Hazrolli, gjeneral Irfete Spahiu, si dhe këshilltares politike, Liridona Gashi, po qëndron për vizitë zyrtare në Finlandë.
Pas pritjes me nderime të larta ushtarake, u zhvilluar takimi mes dy ministrave ku u diskutua rreth situatës aktuale gjeopolitike, ndikimit zingjir që ka agresioni rus në Ukrainë, vendimin e Finlandës për të aplikuar në NATO, si dhe rëndësisë së zgjerimit të kësaj aleance me qëllim garantimin e stabilitetit dhe paqes.
Gjithashtu, dy ministrat diskutuan edhe për fushat në të cilat do të bashkëpunojnë në të ardhmen, me theks të veçantë në arsimimin dhe stërvitjen e kuadrove të reja të ushtarakëve, si dhe realizimin e ushtrimeve të përbashkëta dimërore.
Gjatë takimit, Ministri Mehaj informoi Ministrin Kaikkonen edhe për kapacitetet e Ushtrisë së Republikës së Kosovës, arritjet dhe gatishmërinë për të ndarë me Ushtrinë Finlandeze përvojën e FSK-së në fushën e deminimit, kërkim-shpëtimit dhe eliminimit të materieve të rrezikshme.
Ministri Mehaj e ftoi homologun e tij për vizitë në Republikën e Kosovës, ndërsa në anën tjetër Ministri Kaikkonen shprehu edhe njëherë gatishmërinë e tij për të rritur prezencën e trupave finlandeze në kuadër të misionit të KFOR-it dhe po ashtu për të intensifikuar bashkëpunimin edhe në fusha tjera. /TV Arbëria