Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, ka takuar këshilltarin kryesor të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, njëherazi zv. Kryetarin e Komitetit Ushtarak, Gjenerallejtënant Landrum.
Ndër të tjerash me Gjenerallejtënant Landrum u diskutua për rëndësinë që ka pjesëmarrja e FSK në ushtrimin Defender Europe 23 si dhe fakti që Kosova do të jetë ndër vendet pritëse të këtij ushtrimi.
“Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, takova këshilltarin kryesor të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, njëherazi zv. Kryetarin e Komitetit Ushtarak, Gjenerallejtënant Landrum. Me Gjenerallejtënant Landrum, si anëtari i dytë më i lartë i Komitetit Ushtarak të NATO-s, diskutuam rreth zhvillimeve në sektorin e sigurisë, situatës aktuale gjeopolitike, rolit të KFOR-it dhe trupës këshilluese të NATO-s në Kosovë, si dy organe bashkëpunuese në misionin e përbashkët të Republikës së Kosovës dhe të NATO-s në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, rajon dhe më gjerë. Ndër të tjerash me Gjenerallejtënant Landrum diskutuam për rëndësinë që ka pjesëmarrja e FSK në ushtrimin Defender Europe 23 si dhe fakti që Kosova do të jetë ndër vendet pritëse të këtij ushtrimi”, ka shkruar Mehaj.
“Para gjenerallejtënantit sërish theksova gatishmërinë që Republika e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës shpreh për të qenë pjesë aktive e misioneve të NATO-së me të gjitha kapacitetet tona profesionale të cilat i kemi zhvilluar ndër vite, e po ashtu shpreha mirënjohjen për trupat e KFOR-it në Kosovë, bashkëpunimi me të cilët është shumë i rëndësishëm në përmbushjen e synimeve tona të përbashkëta në mbrojtjen e vlerave demokratike”, është shprehur Mehaj.