Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Mehaj në 4-vjetorin e themelimit të ushtrisë: Urime ushtarakë, ju gardianë të lirisë

Mehaj në 4-vjetorin e themelimit të ushtrisë: Urime ushtarakë, ju gardianë të lirisë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sot deklaroi se përvjetori i katërt i forcës me mandatin e Ushtrisë së Kosovës “na gjen me suksese të mëdha”.

Mehaj uroi qytetarët dhe ushtarakët me rastin e katër vjetorit të formimit të ushtrisë. Ai u shpreh se rrugëtimi me vizion të qartë është i pandalshëm.

“Ushtri me ushtarakë me moral të lartë, të arsimuar, stërvitur, të pajisur dhe të gatshëm për realizimin e misionit të shenjtë në mbrojtje të Atdheut dhe qytetarëve tanë. Ushtri e ndërtuar, zhvilluar dhe avancuar mbi gjakun, djersën e mundin e heronjve , dëshmorëve e martirëve të kombit ndër breza. Urime qytetarë të dashur! Urime ushtarakë, ju gardianë të Lirisë e Republikës sonë!”, shkroi Mehaj në Facebook.

Ndryshe, Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, më 14 dhjetor 2018 ka miratuar tri ligjet që e kanë ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.Ligjet që janë miratuan kanë qenë Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Amendamentet e ligjeve janë votuar një nga një.

Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk kanë marrë pjesë në seancë. Ata e kanë kundërshtuar formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, votimin dhe miratimin e ligjeve për ushtrinë e kanë cilësuar si “një ditë historike dhe një nga vendimet më të rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”.  /TV Arbëria

Powered by WordPress