Tre persona nga një familje me prejardhje nga Komogllava e Ferizajt kanë humbur jetën në një aksident tragjik në Gjermani, teksa po ktheheshin nga Kosova.
Viktimat janë Tahir Aliu (61 vjeç), djali i tij Gentian Aliu (34 vjeç) dhe Laurenti Aliu (16 vjeç), djali i Bardhyl Aliut.
Për aksidentin kanë raportuar edhe mediat gjermane.
Sipas BR.de, ngjarja ka ndodhur të enjten në mëngjes në autostradën A3, pranë Nittendorfit në rrethin e Regensburgut.
Sipas raportimit, automjeti doli nga rruga për arsye që ende nuk janë sqaruar, rrëshqiti poshtë një argjinature dhe ra mbi shinat hekurudhore që kalojnë nën autostradë, ku u ndal në buzë të binarëve.
Të tre personat që ndodheshin në automjet humbën jetën si pasojë e plagëve të marra.
Operacioni i shpëtimit ishte i vështirë, pasi viktimat mbetën të bllokuara në automjet dhe u desh ndërhyrja e një vinçi për nxjerrjen e tij.