Me kërkesë të mbrojtëses së të akuzuarit Rinor Grajqevci, avokatës Shemsie Asllani, është shtyrë seanca e sotme ku ai akuzohet për veprat penale: Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme, Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Avokatja Asllani deklaroi se, pasi është autorizuar më vonë nga familja e të akuzuarit Grajqevci dhe ende nuk është pajisur me shkresa të lëndës, kërkon që seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 17.11.2020, Rinor Grajqevci akuzohet se më 15.05.2025 rreth orës 18:25 në rrugën “Ahmet Haxhiu”, gjatë kohës që po drejtonte veturën, ka dalë nga vetura dhe me armë zjarri ka shtënë një herë në drejtim të veturës së të dëmtuarit Arben Gashi, duke e goditur në pjesën e pasme, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Me këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 356, paragrafi 1 i KPRK-së.
Tutje, aktakuza thekson se nga data e papërcaktuar deri më 15.05.2020, në rrugën “Ahmet Haxhiu” në Prishtinë, i akuzuari Grajqevci ka mbajtur pa autorizim armën e llojit Zoraki, në kundërshtim me nenin 5 të ligjit për armë, duke e përdorur për të shtënë në drejtim të veturës së të dëmtuarit.
Me këtë, ai akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, në të njëjtën datë, kohë dhe vend, i akuzuari, me dashje dhe me qëllim, ka dëmtuar pasurinë e të dëmtuarit Arben Gashi, duke shtënë në veturën e tij, çka ka shkaktuar dëmtim material dhe ka ndryshuar dukjen e veturës.
Me këtë veprim, ai akuzohet për veprën penale “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, nga neni 321, paragrafi 1 i KPRK-së.