Me kërkesë të ish-deputetes Besa Baftiu, është anuluar seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku e njëjta bashkë me ish-ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-deputetët Pal Lekaj dhe Donika Kadaj-Bujupi po akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016.
Kështu kanë konfirmuar nga zyra e gjykatësit Bujar Ahmeti, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021, në mungesë të provave, i kishte liruar nga akuzat për armëmbajtje pa leje, Albulena Haxhiun, Pal Lekajn, Donika Kadaj-Bujupin dhe Besa Baftiun, për akuzën e posedimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Më pas, Gjykata e Apelit më 14 tetor 2022, ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e kthyer çështjen në rigjykim.
Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombolë e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.