Shkruan: Afrim Kasolli
Pas dështimit të Albin Kurtit dhe sot të Glauk Konjufces për t’i siguruar votat për një Qeveri të re, zgjedhjet e reja te jashtëzakonshme po bëhen të pashmangshme.
Presidentja Vjosa Osmani më nuk ka hapesire për manovrime. Kushtetuta e Kosovës ne 95 tregon qartë se pas dështimit të mandatarit të dyte, zgjedhjet e reja duhet të shpallen jo me larg se 40 dite.
Prandaj partitë politike kanë filluar të “përgatiten” edhe për ofertat e tyre elektorale. Lëvizja Vetëvendosje do të shfaqet para zgjedhësve me premtimin për ta zhbllokuar Buxhetin e shtetit për vitin 2026 dhe për t’i vazhduar sukseset në pjesën veriore. Sepse sipas saj partitë opozitare së bashku me Listën Serbe, me moblizimin kundër Albin Kurtit, u pozicionuan kundër shtetit të Kosovës. Pra këto të fundit janë fajtore për bllokadën politike dhe insitituconale në vend.
Kurse subjektet “opozitare” se e korrën një sukses të jashtëzakonshëm ngase ia dolën që t’ia pamundësojnë Albin Kurtit qe të jetë kryeministër edhe një mandat të plotë dhe se në këtë mënyrë i njëjti më kurrë nuk do të jetë drejtues qeverie.
Por para tyre tash shtrohet një sfidë tjetër. Që nëse e përjashtojnë çdo kolacion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje a do të jenë në gjendje që të kenë partneritet ndërmjet vete. Apo do të vazhdojnë sipas logjikës aktuale as me Albin Kurtin dhe as së bashku. Prandaj mbetet të shihet se si do ta artikulojnë këtë ofertë që i nxjerr nga logjika e mohimit të dyfishtë. /TV Arbëria