Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Më 4 prill fillon fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore

Më 4 prill fillon fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore

Në katër komunat veriore të Kosovës do të ketë fushatë zgjedhore për 18 ditë. Në mbledhjen e sotme të KQZ-së është vendosur që nga data 4 prill deri më 21 do të organizohet fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave, të cilat do të mbahen më 23 prill.

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arianit Elshani tha se këshilli për operacione zgjedhore ka shqyrtuar rekomandimin e sekretariatit për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore.

“Konfirmimi i certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të certifikuar në dhjetor të vitit 2022 që do të bëhet nga data 9 mars deri më 13 mars 2023. Ku subjektet politike njoftojnë KQZ-në për ndonjë ndryshim nëse kanë në raport me kandidaturat të cilat tashmë janë të certifikuara nga KQZ në dhjetor të vitit të kaluar. Afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje fillon më 9 mars dhe mbaron me 18 mars. Tërheqja e shortit për renditjen e kandidatëve dhe subjekteve politike në fletëvotim, të cilët do të aplikojnë, sepse tashmë kemi një short të vendosur në muajin dhjetor që do të mbahet më 3 prill 2023”, ka njoftuar Elshani.

Pas rekomandimit të sekretariatit, Elshani tha se janë vendosur edhe datat për fushatë zgjedhore dhe votimit për qytetarët jashtë Kosovës.

“Periudha e fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike dhe kandidatët fillon me 4 prill dhe përfundon më 21 prill. Periudha për ndërrimin e qendrës së votimit brenda komunës fillon me 22 mars dhe përfundon me 2 prill. Periudha për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon me 20 mars dhe përfundon me 27 mars 2023. Periudha e votimin përmes postës për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës fillon nga data 8 prill deri më 21 prill. Publikimi i listës dhe adresës së qendrave të votimit që do të bëhet me 22 mars”, ka shtuar ai.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është miratuar edhe raporti i shpenzimeve të derivateve për vitin e kaluar. Aty u theksua se veturat janë të stërvjetëruara dhe kosto e mbajtjes së tyre tejkalon mundësitë.

Ndërkaq, më pas mbledhja ka vazhduar me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave. /TV Arbëria

KQZ-ja cakton afatet për zgjedhjet në katër komunat veriore

 

Powered by WordPress