Gjykimi kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të fillojë më 3 prill, ka konfirmuar kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith. Vendimi është marrë pasi një datë të tillë e kanë propozuar avokatët e të akuzuarve dhe nuk ka pasur kundërshtime nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Në pjesën e fundit të konferencës përgatitore për prokurorinë, është bërë e ditur se gjykimi fillon me deklaratën hyrëse të prokurorisë e cila pritet të zgjasë deri në pesë orë.
Smith: Gjykimi në çështjen “Thaçi dhe të tjerët” fillon më 3 prill
“Fillon çështja më 3 prill në orën 09:00, deklarata hyrëse e ZPS-së do të zgjasë jo më shumë se pesë orë, e përfaqësuesit të viktimave siç e thatë 45 minuta. Mbrojtja e Thaçit do t’i duhen tre orë, mbrojtja e Selimit një orë maksimumi, mbrojtja e Krasniqit një orë e gjysmë, dhe do të ketë edhe pyetje të trupit gjykues. 45 minuta deklarata hyrëse e mbrojtjes së Veselit. Ju kërkojmë palëve që në deklaratat e tyre t’u shmangen deklaratave të natyrës politike, duhet në ato deklarata të përqendrohen në çështje thelbësore që lidhen me provat dhe argumentet e tyre dhe të mos i përsërisin gjërat që i kanë thënë në dosjet paraprake”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.
Në këtë konferencë avokatët kanë bërë të ditur se Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi mund të bëjnë nga një deklaratë jo nën betim me rastin e fillimit të procesit gjyqësor.
Elis: Jakup Krasniqi mund të bëjë një deklaratë jo nën betim
“Desha t’ju bëj me dije që zoti Krasniqi mund të bëjë deklaratë jo nën betim që mund të zgjasë diku rreth një orë e gjysmë”, ka bërë të ditur mbrojtja e Krasniqit, avokati Aydan Elis.
Kryetari i trupit gjykues gjithashtu ka pyetur ekipet mbrojtëse se kur mendojnë të përfundojnë paraqitjen e provave të tyre, pasi të përfundojë çështja e prokurorisë.
Avokatët kanë deklaruar se do t’u duhen tre deri në katër muaj derisa mbrojtja e Jakup Krasniqi ka theksuar se një përgjigje më të qartë për këtë, do ta kenë pasi të dëgjojnë provat e prokurorisë.
Në pjesën e parë të konferencës, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se do të thërrasë mbi 300 dëshmitarë.
Prokuroria thotë se ka 312 dëshmitarë në rastin Thaçi dhe të tjerët
Aty ZPS ka deklaruar se nuk ka ndërmend të zvogëlojë akuzat në këtë moment kohor derisa ka shtuar se synon të paraqes prova lidhur me çdo vend të pretenduar krimi.
Ndërsa trupi gjykues edhe njëherë ka shprehur shqetësimin lidhur me kohën që ka kërkuar prokuroria për çështjen e saj dhe që arrin deri në 700 orë.
700 orë për çështjen e prokurorisë, avokatët e ish-krerëve të UÇK-së kërkojnë shkurtim të kohës
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.
Ata po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit dhe të tjerëve ku pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime lufte në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. /TV Arbëria