Gjatë ditës së djeshme janë mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë, shkruan TV Arbëria.
Sipas Policisë ky aksion është kryer pasi dyshohej se ne teritorin e Kosoves operojnë operator ekonomik pa licencë dhe të pa regjistruar në ARBK, pas këtij informacioni policia e Kosovës doli në vendin e ngjarjes ku edhe u arrestuan dy persona më vonë.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani e kishte konfirmuar rastin për TV Arbëria, ai pohoi se janë mbyllur gjithsej 9 objekte, 3 në Mitrovicën e Veriut, 3 në Leposaviq, 2 në Zveçan dhe 1 në Zubin Potok.
Por ky aksion i Policisë së Kosovës nuk u prit mirë nga ndërkombëtarët, ku menjëherë erdhën reagime ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano përmes një shkrimi në platformën “X”, ka reaguar kundër këtij aksioni, ai cilëson se veprimet e njëanëshme dhe të pakordinuara nuk mund të ofrojnë zgjedhje në drejtim të dialogut Kosovë-Serbi.
“Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese të serbëve të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re të rënë dakord paraprakisht, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti’, ka thënë Stano.
BE tutje i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të rishqyrtojë vendimin.
“I bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në reagimin e BE-së.
Njëjtë ka reaguar edhe Ambasada e Amerikës në Kosovë, ku aksioni e quajnë të pakordinuar dhe me rrezik qytetarët dhe ushtarët e KFOR’it.
“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagimin e Ambasadës amerikane.
Kundër mbylljes së nëntë objekteve të Bankës së Serbisë është deklaruar edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, ku po ashtu vendimi cilësohet pakordinim dhe në dëmë të dialogut Kosovë-Serbi.
“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por edhe më keq, rrezikojnë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të mbetet i mbërthyer në kuti (inbox)”, thuhet në reagimin e ambasadorit gjermanë John Rohde.
Nuk ka munguar as reagimi nga KFOR-i, në përgjigje thuhet se çdo vendim për Urën e Ibrit duhet të merret në process të dialogut.
“Çdo vendim në lidhje me hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
Ky veprim nga institucionet e Kosovës është dënuar edhe nga zyrtarë të Postës së Serbisë, Listës Serbe dhe nga Serbia.
Ndërkohë kohëve të fundit edhe çështja e Urës së Ibrit është komentuar e kritikuar mjaft shumë nga ndërkombëtarët, për të cilën Qeveria insiston se duhet të hapet për lëvizjen e automjeteve pasi përmes urës momentalisht mund të kalojnë vetëm këmbësorët. /TV Arbëria