Legjislacioni dhe mekanizmat mbrojtës për gratë në Kosovë janë të rregulluara si duhet, por vazhdon të mbetet problematike çështja e efikasitetit të tyre. Ndihma juridike falas është gjithashtu një fushë në të cilën ka shumë pak diferencë gjinore në raport me kërkesat e qytetarëve. Ndër vite morën ndihmë juridike falas gjithsej 65 mijë e 392 qytetarë të Kosovës, prej tyre 39 mijë 849 burra, ndërsa gra 25 mijë 543.
Agjencia për Ndihmë Juridike Falas në Kosovë ekziston që tashmë dy dekada. Ky institucion mund t’ua lehtësojë barrën që mbajnë mbi supe shumë qytetarë, të cilët nuk i kanë mundësitë të paguajnë për procedura ligjore.
Në ANJF mund të marrin shërbime shumë kategori të shoqërisë, dhe sipas statistikave, ndër vite, burrat janë që i vizitojnë më shpesh zyret përkatëse nëpër komuna në kuadër të këtij institucioni.
Flutura Berbati Zena, ushtruese e detyrës në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas, thekson se gjatë vitit të kaluar mbi 300 burra ma shumë se gra kanë kërkuar ndihmë në agjenci. Sipas saj kjo shifër nuk është që bën ndonjë dallim.
“Nëse ndalemi dhe bëjmë krahasimin e përfituesve vajza apo gra dhe përfituesve djem apo burra gjatë vitit 2023, vërejmë se trendi i përfituesve në aspektin gjinor nuk dallon edhe aq shumë. Prej 6081 përfituesve; 3191 kanë qenë djem apo burra dhe 2890 vajza apo gra. Pra, dallimi është për vetëm 301 përfitues më shumë nga gjinia mashkullore. Nëse e shikojmë me përqindje: Përfitues të ndihmës juridike falas meshkuj ishin 52.47 %, ndërsa femra 47.53%.”
Ndër vite morën ndihëm juridike falas gjithsej 65 mijë e 392 qytetarë të Kosovës, prej tyre 39 mijë 849 burra, ndërsa gra 25 mijë 543. Natyrisht sikur në çdo institucion të drejtësisë në Kosovë hasen vështirësi në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve për shkak të procedurave që ndonjëherë përfundojnë edhe arkivave nëpër gjykata.
“Stërzgjatja e procedurave gjyqësore është një problem që ndikon në mos realizimin e të drejtave të tyre ligjore brenda një kohe të arsyeshme, duke marrë parasysh se në shumicën e rasteve janë lëndë shumë të ndjeshme që rrjedhin nga marrëdhëniet familjare”, ka thënë ushtruesja e detyrës në ANJF, Flutura Berbati Zena.
Viti | M | F | Total | Përqindja M | Përqindja F |
2023 | 3191 | 2890 | 6081 | 52.47% | 47.53% |
2022 | 3242 | 2619 | 5861 | 55% | 45% |
2021 | 2618 | 1982 | 4600 | 56% | 44% |
2020 | 3238 | 2008 | 5246 | 61% | 39% |
2019 | 3095 | 2443 | 5538 | 55% | 45% |
2018 | 2568 | 2315 | 4883 | 52% | 48% |
2017 | 1758 | 1622 | 3380 | 52% | 48% |
2016 | 1724 | 1135 | 2859 | 60% | 40% |
2015 | 2384 | 1328 | 3712 | 64% | 36% |
2014 | 3097 | 1708 | 4805 | 64% | 36% |
2013 | 3881 | 1609 | 5490 | 70% | 30% |
2012 | 2544 | 1199 | 3743 | 67% | 33% |
2011 | 2825 | 1318 | 4143 | 68% | 32% |
2010 | 2707 | 1316 | 4023 | 67% | 33% |
2009 | 1160 | 607 | 1767 | 65% | 35% |
2008 | 721 | 347 | 1068 | 67% | 33% |
TOTAL | 39849 | 25543 | 65392 |
Berbati Zena po ashtu ka bërë të ditur se rastet që kanë kërkuar ndihmë në Agjenci janë ato që lidhën me raste familjare, duke përfshirë kontaktin me fëmijë, ndarjen e pasurisë, rastet e zgjidhjes së martesës dhe kthimit të gjësendeve, etj.
Nga Ministria e Drejtësisë kemi marrë përgjigje që ANJF ka një shtrirje thuajse në të gjithë komunat e Kosovës. ANJF-ja i ka shtatë zyra rajonale që funksionojnë në kryeqytet, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjilan, Gjakovë dhe Ferizaj.
Në kuadër të kësaj funksionale janë edhe zyret mobile në qytetet e tjera. Po ashtu pritet të hapen edhe gjashtë zyre mobile në Podujevë, Klinë, Lipjan, Shtime, Kaçanik dhe Hani i Elezit.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë është investuar rreth 100 mijë euro më shumë në këtë vit, për këtë agjenci.
“Buxheti i ndarë për Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2024 është 537,831.00 euro.
Në krahasim me vitin paraprak, buxheti është rritur për rreth 100.000 mijë euro.”
Ligji funksional për Ndihmë Juridike Falas, i cili rregullon krijimin e një sistemi funksional, ka pësuar ndryshime gjatë vitit 2022. Në mars të vitit 2022 ka hyrë në fuqi Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Ndihmë Juridike Falas si dhe në shtator 2022 ka hyrë në fuqi Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me Racionalizimin dhe Vendosjen e Vijave Llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura, i cili ka për qëllim të bëjë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjeve në vijim për racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarur.
Kriteret që duhen plotësuar për të pasur të drejtë përfitimi të ndihmës juridike ndahen në tri kategori: kriteret kualifikuese, juridike dhe financiare. Tek kriteret financiare ekziston edhe një ndarje tjetër Primare dhe Sekondare.
Ndihma juridike Primare iu ofrohet të gjithë personave të cilët përfitojnë të drejtën nga ndihma sociale, ose janë në situatë të ngjashme me personat që përfitojnë të drejtën nga ndihma sociale. Kurse Ndihma juridike Sekondare iu ofrohet të gjithë personave, të ardhurat e përgjithshme familjare të të cilëve janë më të vogla se sa të ardhurat mesatare familjare.
Me ndryshimet që ka pësuar ligji, kategorisë së personave që kanë të drejtë të kërkojnë ndihmë juridike falas i janë shtuar edhe: personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë, viktimat e dhunës në familje, viktimat e dhunës në bazë gjinore, viktimat e trafikimit etj.
Arbër Jashari, avokat, potencon që ndihma juridike që ofrohet falas ka një rëndësi tejet të madhe dhe kjo specifikisht për kategorinë sociale. Jashari thekson përvojat personale të cilat e kanë ballafaquar me këtë agjenci.
“Rastet qe kam trajtuar unë kanë qenë gra, viktima të dhunës në familje, me gjendje të rëndë financiare, e të cilat kanë inicuar procedura divorci, alimentacioni apo besim të fëmijëve në gjykatë.”
Jashari thotë që ky shërbim duhet të jetë efikas për secilin qytetar të Kosovës i cili ka nevojë për ndihmë. Në anën tjetër ai deklaron se në vendin tonë nuk mungojnë legjislacionet dhe mekanizmat mbrojtës për gratë të cilat përballen veçmas me problemet e dhunës në familje, por që këto mekanizma duhet të jenë më funksionalë dhe më efikas.
Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve – RABA VOCA është një organizatë joqeveritare e cila lufton kundër dhunës në familje dhe trafikimit të qenieve njerëzore në rajonin e Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë. Në këtë Qendër janë të strehuara aktualisht 3 gra dhe 4 fëmijë, përderisa gjatë periudhës janar-maj të këtij viti ishin 32 raste.
Fidane Hysenaj, drejtoreshë e kësaj Qendre, tregon për rastet më të shpeshta të cilat kërkojnë strehim dhe arsyet të cilat i dërgojnë këto gra tek kërkesa për ndihmë.
“Gratë që kërkojnë strehim më të shpeshta janë rastet që përjetojnë dhunë nga keqbërësi i cili shpreh traditat patriarkale, pastaj alkooli, bixhozi, tradhtia, etj”.
Një tjetër shqetësim lidhur me problematikën e dhunës në familje vazhdon të mbetet edhe rikthimi tek dhunuesi. Shumë gra që përjetojnë dhunë në familje, tentojnë te largohen, të rinisin jetën e tyre dhe të strehohen në Qendra të tilla të cilat u ofrojnë siguri. Shumë nga këto gra kthehen në pikën fillestare në momentin që vendosen të rikthehen serish tek vendi ku janë abuzuar, tek abuzuesit e tyre dhe kjo ndodh për një arsye ose tjetër.
“Numri më i madh i rasteve po, rikthehen në shtëpi të bashkëshorti pasi që nga familja biologjike nuk kanë përkrahje, mandej të reintegrimi, nga shteti nuk kanë mbështetje, as të punësimi, njashtu edhe te banimi, prapë se prapë duhet të rikthehën të dhunuesi”, përfundon Fidane Hysenaj.
Përpos Qendrave strehuese, një numër i madh i qytetareve specifikisht gra, kërkojnë ndihmë në Qendrat e posaçme për ndihma sociale në komuna të ndryshme të vendit. Në Komunën e Prishtinës, aktualisht përfituese të ndihmës sociale janë gjithsej 184.
Sipas drejtorit të kësaj Qendre, Bajram Shala kjo ndihmë e cila u ofrohet nënave vetushqyese nuk është se i përmbush të gjitha nevojat të cilat ato i kanë, megjithatë kjo është gjendja aktuale.
“Në kategorinë e rasteve të dhunës në familje gjatë marrjes së shërbimeve dhe vlerësimit të nevojave të tyre mund të realizohet strehimi në strehimore dhe më tutje në proces të punës mund të rezultojë që më vendim të gjykatës të shkurorëzohen. Pas kësaj ka mundësi që të kërkojmë nga komuna për përkrahje edhe në sigurim të strehimit si viktimë e dhunës”, thotë Shala.
***