Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mbrojta e dytë e pavarësisë së Kosovës në Hagë nga amerikanët

Mbrojta e dytë e pavarësisë së Kosovës në Hagë nga amerikanët

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Pas protestës gjithë popullore pranë Gjykatës Special në Hagë në mbrojte të luftës së drejtë të UCK-së një kauzë të njëjtë e vazhdoi dje si dëshmitar, ish-asistenti i sekretares amerikane, James Rubin.

Gjatë kësaj dëshmie, ai deklaroi se ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, nuk kishte autoritet të plotë mbi UÇK-në dhe se  vendimet ushtarake ai duhej të merrte nga udhëzimet  e komandantëve. Ndaj këtij pohimi pat një sërë reagimesh cinike, se më fund  po dëshmohet kontributi minor i Hashim Thacit gjatë luftës.

Mirëpo, pikërisht kjo dobësi e tij e jashtme atë kohë mund të jetë forca e brendshme. Sepse i njëjti nuk mund të ishte diktator. Ushtria Çlirimtare te Kosovës ishte një ndërmarrje e përbashkët për liri. Prandaj, është iluzion të mendohet se një njeri i vetëm mund të vendos në shpërputhje me vullnetin e kolektiv të saj strukture. Kam shkruar edhe në të kaluarën se UÇK-ja nuk ishte “ushtri”, e cila mund të shpjegohet sipas kategorive të sociologjisë militare, me disiplinë dhe përgjegjësi të plotë komanduese dhe hierarkike. Pjesëtarët e saj, “në shumëçka e kishin “hijeshinë artistike” të botës homerike. Ata nuk ishin ushtarë, por heronj dhe luftëtarë. Dhe është në natyrën e këtyre të fundit siç ka pohuar Hegeli, që nuk njohin rregulla. Nuk pranojnë urdhra. Autoritet suprem për ta është vetëm vullneti i tyre i pastër. Në këtë mënyrë ata që u bënë pjesë e UÇK-së e jetonin lirinë e plotë. Ata nuk kishin struktura legale që ndërmjetësonte botën e tyre “idilike” Vetëm vdekja mund t’ua kufizonte këtë vullnet. Askush tjetër. Ligji i tyre ishte vetvetja. Në këtë kontekst menaxhimi dhe drejtimi i kësaj force ka qenë një detyrë titanike.

Ndërkohë, për akuzuat që kanë rënduar për UCK-në, ndër vite e të cilat edhe e shtruan shtratin e formimit të Gjykatës Speciale,  ai pa ekuivoke e bëri të qartë së ato nuk ishin asgjë tjetër, pos shpifje propagandiste ruse dhe serbe më qëllim që ta minonin alencën e UCK-së me Perëndimin në përgjithësi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veçanti.  Sipas tij asnjë nga këto pretendime nuk kanë mundur të verifikohen, prandaj as që ia vlen të merren seriozisht. Një fakt i tillë ishte potencuar kohë nga ish-ministri i Britanisë së Madhe për Evropë, Denis MacShane, sipas të cilit “raporti i Martyt ishte një vegël e Rusisë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-së, dhe se ky raport në Këshillin e Evropës reflekton politizimin e kësaj organizate nga Rusia që nga anëtarësimi i saj në vitin 1995”.

Nuk do do shumë mend për ta kuptuar se ka qenë interes strategjik shtetëror i elitës politike serbe të zhytur ende në kthetrat e ideologjisë fashiste, që ta dëmtojë, zhvleftësojë dhe denigrojë rolin historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sepse siç shkruante Arben Xhaferi “ka qenë një mrekulli e pashpjegueshme se si ky brez i sakrificës kombëtare, me një vetëbesim të rrallë, një gatishmëri të skajshme për vetëflijim, për të argumentuar se nuk janë as aventuristë, as njerëz të papërgjegjshëm, por ajka e një kombi, elita më e vetëdijshme e kombit, që morën përsipër të mbrojnë jo vetëm hapësirën, kulturën, traditat, vlerat e një kombi, por dinjitetin, integritetin moral të individit, që ishte nëpërkëmbur në trajta të padurueshme. Dhe falë këtyre cilësive, UÇK-ja arriti që t’i respektojë standardet dhe të mos lejojë që kryengritja, lufta e shqiptarëve për liri të mos degjenerohet. Ky konstatim merr vlerë të madhe nëse krahasohet me kryengritje tjera që degjenerohen dhe zgjasin me dekada pa kurrfarë shprese për një epilog të suksesshëm”

Pra, me anë të politikës së shpifjes ndaj drejtueseve të saj, Serbia ka tentuar t’i maskojë krimet e veta. Të zhvishet nga përgjegjësia për krimet në luftën e fundit, e të mos flasim për të bëmat e tyre për gati një shekull, që projekti i gjenocidial nacionalist i këtij shteti prodhoi mbi shqiptarët. Ta shpërhap mjegullën, enigmën, amnezinë, ta ndrydhë barrën e krimit në mënyrë irracionale, pra pa pranuar dhe kërkuar falje asnjëherë për të. Të shndërrohet në strehë për kriminelë duke i glorifikuar ata si heronj. Ai shtet ende sot e kësaj dite e mban peshën e fajit për krimet e llahtarshme që i kreu në fund të shekullit të kaluar, jo vetëm në Kosovë, por në tërë hapësirën e ish-Jugosllavisë. Ai i është përgjegjës për fillimin e luftërave të përgjakshme, dhunimet, dëbimet, masakrimet, kampet e përqendrimit ndaj popujve tjerë të asaj federate, pikërisht në kohën kur të gjitha njësitë e atij shteti, me përjashtim të Serbisë, ishin përcaktuar për procese demokratike dhe për paqe. Pra, shteti serb është përgjegjës për krime kundër paqes dhe njerëzimit.

Kjo ishte edhe arsyeja që pavarësia e Kosovës u bë e pashmangshme. Në fund të një procesi të komplikuar negociator, emisari i posaçëm i OKB-së, ish-Presidenti Martti Ahitisari, në koherencë me njërin nga formulimet më të famshme morale të filozofit të njohur gjerman Imanuel Kant-it, sipas të cilit “gjatë një konflikti nuk guxon të ndodhë diçka që do ta bënte të pamundur pajtimin pas përfundimit të tij”, pat deklaruar se “duke marrë parasysh sjelljen e shtetit serb ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës në të kaluarën, atëherë çdo opsion tjetër pos pavarësisë do të ishte i pamundur”.

Këto të vërteta i konfirmoi dje edhe një herë para syve të botës James Rubin. Kështu nëse vitin 2010 fal ndihmës amerikane u mbrojt legaliteti ndwrkombwtar i pavarësisë së Kosovës, po ashtu në këtë javë fal dëshmisë së njërit prej emrave të rëndësishëm diplomatik të atij shteti, po ashtu në Hagë, por pranë një institucioni tjetër po mbrohet për herë të dytë trashëgimia historike e shtetësisë.