Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mbledhje ‘urgjente’ për datën e zgjedhjeve / Berisha: Dialogu mes partive duhet të përqendrohet edhe në interesat e qytetarëve

Mbledhje ‘urgjente’ për datën e zgjedhjeve / Berisha: Dialogu mes partive duhet të përqendrohet edhe në interesat e qytetarëve

Para disa ditësh Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani u ka bërë ftesë zyrtare liderëve të partive politike, për konsultime më datë 31 korrik (nesër) për caktimin e datës së zgjedhjeve, raporton TV Arbëria.

Në letrën e dërguar krerëve të partive, Osmani ka deklaruar se sipas Kushtetutës dhe Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, ato duhet të mbahen gjatë përiudhës kohore nga 26 janar deri më 16 shkurt të vitit të ardhshëm.

Në lidhje me këtë çështje, për TV Arbëria ka folur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha i cili ka thënë se kjo ftesë mund të interpretohet si një hap drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe rikthimit të stabilitetit institucional, teksa ka shtuar se me arrogancën e numrave dhe injorancën e mashtrimin si doktrinë udhëheqëse nuk shkohet tutje.

“Kjo ftesë mund të interpretohet si një hap drejt zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe rikthimit të stabilitetit institucional. Për caktimin e datës së zgjedhjeve, paraprakisht duhet adresuar kriza politike aktuale në Kosovë përmes mekanizmave të demokracisë si dialogu dhe kompromisi konsensual politik për temat e ndjeshme për vendin, ngase me arrogancën e numrave dhe injorancën e mashtrimin si doktrinë udhëheqëse nuk shkohet tutje”, është shprehur ai.

Sipas vlerësimit të deputetit Berisha, rezultatet e takimit të nesërm i cili do të mbahet nga Presidentja Osmani me krerët e partive politike do të jetë forma në të cilën do të shkohet në zgjedhje, teksa shton se duhet të respektohen standardet dhe afatet Kushtetuese.

“Forma në të cilën do të shkohet në zgjedhje do të varet nga rezultatet e këtij takimi dhe nga marrëveshjet e arritura mes partive politike. Cilido qoftë dakordimi ndërpartiak, duhen respektuar standardet dhe afatet kushtetuese për të mos humbur legjitimitetin funksional të institucioneve të shtetit”, thotë Berisha në një prononcim për TV Arbëria.

Më tej, ai konstaton se ftesa e Presidentes Osmani për takim ku do të diskutohet për caktimin e zgjedhjeve, sipas tij duhet të kushtëzohet me reformën e sistemit zgjedhor, duke thënë se kjo reformë është thelbësore për të siguruar stabilitetin politik.

“Ftesa e Presidentes Osmani për një takim për zgjedhje duhet të kushtëzohet paraprakisht me reformën e sistemit zgjedhor.

Reforma e sistemit zgjedhor është thelbësore për të siguruar stabilitetin politik dhe për të parandaluar mosmarrëveshjet që shpesh çojnë në bllokada institucionale.”

Sa i përket çështjes së lartcekur Berisha potencon se vonesat në bërjen e reformës së sistemit zgjedhor dhe bën drejtësi janë pengesa për stabilitetin politik të vendit.

“Këto vonesa në bërjen e reformës së sistemit zgjedhor dhe në drejtësi janë pengesë për stabilitetin politik të Kosovës, ngase me sistemin zgjedhor aktual vetëm sa do të gjenerojmë kriza qeverisëse të reja dhe të përsëritura”, ka thënë ai.

Sipas Berishës, gjatë këtij takimi për mbajtjen e zgjedhjeve thotë se nuk duhet të fokusohen vetëm në këtë çështje por edhe në krijimin e një sistemi që i shërben interesave të qytetarëve.

“Pra, dialogu mes partive politike duhet të përqendrohet jo vetëm në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por edhe në krijimin e një sistemi zgjedhor që i shërben interesave të qytetarëve dhe stabilitetit afatgjatë të Kosovës”, është shprehur deputeti i PDK-së.

Berisha deklaron se lidershipi politik në Kosovë nuk guxon të shantazhohet, teksa shton se më nuk mund të flitet për marrëveshje për zgjedhje të parakohshme përmes rrugëve të tjera ligjore dhe politike, kështu që shpërndarja e Kuvendit duhet të sigurojë mbajtjen e zgjedhjeve.

“Lidershipi politik në Kosovë nuk guxon të bie në lajthitje apo të shantazhohet e të bëhet kartë e kalkulimeve politike mashtruese të tandemit Kurti-Osmani. Tani më nuk mund të flitet për marrëveshje për zgjedhje të parakohshme përmes rrugëve të tjera ligjore dhe politike, kështu që shpërndarja e Kuvendit duhet të sigurojë mbajtjen e zgjedhjeve dhe të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve. Megjithatë, ky veprim duhet të jetë i fundit dhe të përdoret vetëm në rast se të gjitha mundësitë e tjera janë ezauruar”, theksoi Berisha për TV Arbëria.

Powered by WordPress