Shkruan: Altin Ademi
Për ta kuptuar shterpësinë e politikës në Kosovë, thjesht duhet të mendojmë se dikush që ka lindur në vitin 2008, pra bashkë me vetë pavarësinë e vendit, sot është votues për herë të parë. Përgjatë tetëmbëdhjetë viteve të jetës së tij, deri në momentin kur voton për herë të parë, ai nuk ka parë pothuajse asgjë tjetër në politikë, veçse përplasjen e interesave të ngushta mes kampeve, figurat e të cilave kanë qenë, kanë dalë, janë rikthyer e janë ricikluar, për të mbetur sërish aty.
Kjo është, si të thuash, sikur një gjeneratë e tërë në Kosovë nuk ka për të parë një film të dytë, përveç atij që tashmë e ka parë dhjetëra herë si reprizë. Të njëjtët aktorë, të njëjtat kauza, të njëjtët protagonistë, veçse me emra e mbiemra të ndryshëm. Asgjë tjetër.
Pse është kështu dhe a është e thënë të jetë kështu? A ka shtegdalje? Në funksion të kujt është politika dhe pse pikërisht ajo i mban peng vullnetet e shtypura dhe shumicën e heshtur?
Për t’i kuptuar këto, natyrisht se duhet pasur një ide rreth subjektit tematik: politikës, e cila i përmbledh në vete dy koncepte themelore: qeverisjen dhe pushtetin. Por as këto nuk mund të kuptohen pa një vetëdije përkufizuese mbi natyrën e tyre të vërtetë.
Njeriu, si qenie, është manifestim i imagjinatës së vet, e cila e ndesh vazhdimisht me një realitet që ekziston sipas kushteve të veta autonome. Në këtë përballje ndërmjet idesë dhe përjetimit konkret, lind frika e ballafaqimit me vetminë, pasigurinë dhe veçimin. Për t’u çliruar nga kjo frikë, njeriu ngrihet, organizohet dhe prodhon një rend të caktuar të gjërave, si masë sigurie ndaj pasigurisë së ekzistencës.
Ai i jep këtij rendi disa të drejta, duke i deleguar njëkohësisht edhe përgjegjësinë themelore për ta mbrojtur atë nga frika e veçimit. Kurdo që ky rend i qëndron besnik parimit për të cilin është themeluar, njeriu mund të vazhdojë ta përjetojë vetveten si manifestim të imagjinatës së lirë. Por kur rendi i shkel këto parime dhe zgjeron të drejtat e veta në kurriz të njeriut, atëherë njeriu tkurret edhe më shumë në frikën prej së cilës kishte kërkuar të çlirohej.
Meqenëse rendi i gjërave nuk ka burim tjetër prej nga mund t’i shtojë të drejtat e veta, përveçse duke ia marrë ato vetë njeriut, çdo e drejtë që i shtohet rendit në dëm të të drejtave të njeriut e prish balancën natyrore të qeverisjes. Në parim cdo qeverisje është një nevojë e imponuar. Çdo qeverisje që zgjerohet përtej kësaj nevoje, është një përkthim i gabuar i saj.
Përgjatë historisë, marrëdhënia e njeriut me qeverisjen rrallë ka qëndruar gjatë brenda kufijve të arsyes fillestare që e ka themeluar atë. Shpesh, gjeneratat pasuese të qeveritarëve, duke mos pasur më ndjeshmërinë e idesë origjinale të rendit, kanë pasur vetëm ndjeshmërinë e një strukture qeverisëse që ekzistonte si e tillë dhe të cilën kërkonin ta drejtonin jo më si nevojë, por si ambicie.
Ambicia që ngrihet përtej nevojës gradualisht e lë terrenin e qeverisjes dhe kalon në terrenin e pushtetit. Qeverisja dhe pushteti janë dy anë tërësisht të ndryshme. E para ka të bëjë me realizimin e disa të drejtave që janë marrë si përgjegjësi, ndërsa e dyta ka të bëjë me projektimin e ri të botës sipas atyre që janë në qeverisje.
Duke pasur parasysh natyrën e njeriut si manifestim të imagjinatës së tij, është e kuptueshme se përmbushja e nevojës rrallë do të ketë qenë më e fuqishme sesa pasioni për t’i shtyrë kufijtë sapo kjo nevojë të jetë përmbushur. Prandaj, ambicia ka qenë gjithmonë në krye të agjendës. Dhe, në një kuptim, ka qenë pikërisht ambicia ajo që e ka zhvilluar historinë.
Megjithatë, ka një veti interesante që ka zënë rrënjë në natyrën e pushtetit që lind nga ambicia. Ai që ka shtyrë përpara ambicien e tij për të qeverisur, i shtyrë jo domosdoshmërisht nga nevoja, por nga projeksionet e një “bote të re”, premtimin për atë botë të re e ka shfaqur si mësymje për të gjithë, ndërsa për veten ka mbajtur një kurs shumë konservator dhe të arsyeshëm.
Pra, ai, apo i tilli, atë botë të re të premtuar e ka shpalosur si diçka që mund të arrihet duke përjashtuar natyrën e vërtetë të qeverisjes. Rrjedhimisht, kushdo që dëshiron të bëhet pjesë e botës së re duhet të harrojë të drejtat e veta dhe autoritetin e vet mbi qeverisjen, duke iu nënshtruar plotësisht autoritetit dhe të drejtave që jep pushteti.
Kjo trajektore zakonisht ka pasur një epilog të njohur: masa të zhgënjyera me botën e re, për hir të së cilës kishin hequr dorë nga autoriteti i tyre mbi qeverisjen dhe nga e drejta për ta kufizuar atë, dhe në anën tjetër, elita që e kanë vendosur këtë botë të re si diçka konkrete, jashtë së cilës nuk mund të dilet, pa të cilën nuk mund të ecet tutje dhe brenda së cilës mund të jetohet vetëm duke ndjekur kodet që pushteti i vendos si norma e ligje.
Në këto rrethana, njeriu bëhet subjekt i nënshtruar ndaj ligjeve dhe normave për të cilat nuk ka as ide, as interes dhe të cilat as nuk i kupton, për të mos thënë se e kupton që ato janë në shërbim të pushtetit më shumë sesa në shërbim të vetë njeriut. Përballë kësaj superstrukture zyrash e institucionesh të pushtetit, njeriu nuk ka shumë gjasë të mbijetojë pa e veshur vetveten me një status: atë të qytetarit. Këtu nuk është fjala për atë që banon në qytet. Është fjala për atë që ka ide për organizimin dhe misionin e politikës, si dhe për raportin e tij me lirinë, përgjegjësinë, rendin dhe ligjin.
Në këtë trajtë, vetëm qytetari si status, i cili ka një vetëdije politike mbi botën, mbi rendin, mbi arsyen, mbi pushtetin dhe mbi qeverisjen, si dhe i cili angazhohet për ta vënë në jetë atë vetëdije, mund, në njëfarë forme, të shërbejë si garanci që ambicia të mbahet nën kontroll dhe qeverisja të jetë më shumë e lidhur me nevojën sesa me pushtetin.
Prandaj, politika nuk është terren argëtimi dhe as sportiviteti. Ajo është çështje jashtëzakonisht serioze, sepse kontrolli i agjendës së saj prodhon, në çdo kohë dhe vend, ose një qeverisje legjitime që lidhet me nevojat konkrete të njerëzve, ose një ngarendje të detyruar pas ambicies së atyre që janë në majë dhe që e vënë njeriun në zbatim të projeksioneve të tyre.
Fatkeqësisht, skena politike në Kosovë sot, më shumë se kurrë, i ngjan një teatri dëfrimi turmash sesa një arene ku përplasen instinktet e pushtetit me qeverisjen e arsyes. Kësaj, në masë të madhe, i ka shërbyer edhe dekurajimi i intelektualëve për t’u dëgjuar, për të marrë pjesë dhe për të qenë në garë në procese zgjedhore që menaxhohen strukturalisht si me sustë.
Natyrisht, heshtja e intelektualëve dhe e atyre që ambicien e kanë te qeverisja e jo te pushteti nuk është për amnisti. Ngase ata, me gjasë, duke parë lista njerëzish që politikës i futen sikur po e provojnë fatin me hedhje zari e jo si vullnet për përfaqësim, kanë nisur të llogarisin se agjenda tashmë ka përfunduar dhe se nuk mund të rikthehet më në vijë të drejtë.
Kosova me një parti që gllabëron çdo gjë nuk duhet lejuar të jetësohet. Kosova me shumë parti që e mbajnë baraspeshën e agjendës politike do të duhej të ishte e mundur, por nuk është e mundur me këtë kastë opozitarësh oportunistë.
Kosova me një rihapje politike që e sheh rimëkëmbjen shpirtërore kombëtare si mision, dhe politikën si mjet për t’ia dhënë qeverisjen e duhur këtij misioni, është rruga e vetme për të dalë nga ngrehina ku kemi rënë.
Nuk ka botë ideale. Ka vetëm botë ku përplasen pasioni i ambicies dhe përgjegjësia e qeverisjes. Prandaj, beteja e duhur politike nuk është ajo që ngre një parti, një lider apo një grup partish mbi qytetarin. Beteja e duhur është ajo që e ngre qytetarin mbi frikën, mbi nënshtrimin dhe mbi iluzionin se politika është pronë e atyre që e ushtrojnë pushtetin. Fitorja e kësaj beteje nuk është thjesht fitore elektorale si statistikë. Ajo është fitore e arsyes mbi pasionin, e qeverisjes legjitime mbi pushtetin nënshtrues dhe e përgjegjësisë publike mbi ambicien private.
A do të shohim një rihapje të tillë?