Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mbi iluzionin se logjika faustiane e presidentes Osmani mund t’i relaksojë raportet me SHBA-të?

Mbi iluzionin se logjika faustiane e presidentes Osmani mund t’i relaksojë raportet me SHBA-të?

Shkruan: Afrim Kasolli- Kohët e fundit ka filluar që me të madhe të fetishizohen dallimet e vogla ndërmjet presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, ku e para ndryshon nga i dyti për shkak të raporteve miqësore me Amerikën në dallim nga ky i fundit. Se ajo po e rindërton ditën atë që i pari i qeverisë po e shkatërron natën.

Natyrisht, këtij përceptimi i ka kontribuar këto ditë edhe sjellja e disa zyrtarëve të lartë të administratës amerikane, sikur se Gabriell Escobar, kur gjatë vizitës së fundit në Prishtinë e kishte veçuar, presidenten Osmani, si garantuese të raporteve në mes Kosovës dhe SHBA-se, dhe telefonata e fundit e Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brein, me të parën e shtetit për të diskutuar, siç deklaroi kjo e fundit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe zbatimin e plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes së Brukselit.

Ndërkohë, gjatë gjithë kësaj kohe, Vjosa Osmani është munduar të krijojë përshtypje në opinionin publik se ajo është një kanakare e politikës amerikane në Kosovë. Se deri sa të jetë ajo në pushtet nuk do të degjenerohen këto raporte. Madje, falë tretmanit dhe raportit special që ajo e gëzon në korridoret diplomacisë së SHBA-ve, disa herë ia ka dalur që t’i shpëtojë disa personalitete politike nga lista e zezë, dhe të shmang sanksione edhe më të ashpra për Kosovën. Po ashtu, në një sërë komunikatash lidhur me tensionet e vazhdueshme që janë krijuar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe diplomacisë së SHBA-ve, presidenca e ka potencuar domosdoshmërinë e bashkërendimit ndërmjet dy vendeve.

Madje, sipas saj ajo paska tentuar që edhe draft statutin e Asociacionit, ta shkruajë së bashkë me ekspertë të atij shteti, si dhe kohën fundit është angazhuar me ta për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për vendimin e BQK-së, për ndalimin e dinarit serb. E për të parën nuk qenka bindur kryeministri, kurse në rastin e dytë, ky i fundit, as nuk denjoi të përgjigjej në një intervistë për REL.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj dëshire të ethshme për t’u shfaqur si një heroinë e vetmuar, që deri sa ajo të jetë në krye të shtetit, nuk do të degjenerohen këto raporte, në të vërtetë as ajo nuk është pa “mëkate” në këtë drejtim. Sepse qëndrimet Albin Kurtit për rolin e SHBA-ve nuk janë të reja. Ato ai ka përsëritur ndër vite.

Me këtë rast, Vjosa Osmani, ka pranuar që me një lehtësi të padurueshme, vetëm për hir të fitimit të pushtetit momental, të bëhet pjesë e vallës politike, ku minohet dhe shtohet dyshimi publik mbi rolin e SHBA-ve në Kosovë. E siç ka qenë e ditur prej kohësh, armiqësimi dhe shkatërrimi i “partneritetet të Kosovës me SHBA-të, ka qenë njëri nga qëllimet e Rusisë”. Në këtë mënyrë, sipas historianit të njohur amerikan, Jason Steinhauer,  në një intervistë dhënë para pak dite për Zërin e Amerikës, investimi kryesor në këtë drejtim ka qenë se si të krijohet klima e mosbesimit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë drejtim, e para e shtetit nuk ka dalluar asgjë sa i sa i përket sulmeve brutale ndaj atyre, sikur se bie fjala ish-kryeministrit Hoti, që ia doli ta shmang këtë përplasje fatale në njërin nga momentet më kritike për Kosovën. Është solidarizuar me gjuhën e kryeministrit Kurti, “për shtëpinë e bardhë, të kuqe e të verdhë”. Dhe se ka kalëruar mbi këto sentimente publike për t’u bërë ajo që është sot dhe që këto raporte të përfundojnë kështu si kanë përfunduar. Natyrisht, pjesë e kësaj aleance të heshtur u bë edhe kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke u nënshtruar ndaj narracionit anti-shtëpisë së bardhë të kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, me synim mbijetesën politike.

Ndërkohë, mjerisht këto tensione tashmë është e qartë se nuk mund të tejkalohen nga një individ i veçantë i koniunkturës aktuale të pushtetit. Ngase ato janë produkt i një fryme kolektive të këtij të fundit.

Kështu, është iluzion të shpresohet, se Vjosa Osmani, pas këtij pakti faustian mund t’i relaksojë ato. Përkundrazi, ajo vetëm do të mund ta mirëmbajë këtë “status quo”, por jo diçka më shumë. Sepse edhe ajo është peng i vetvetes. Prandaj, nëse kjo shoqëri e konsideron jetike rikthimin në binarë të duhur diplomatik raportet me SHBA-të, ky proces kalon nga ndryshime të brendshme shoqërore dhe politike, ku Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku i takojnë vetëm një kapitulli historik pa të ardhme.

/TV Arbëria

Themes by WordPress