Numri i të vdekurve si pasojë e tërmeteve shkatërruese përgjatë kufirit turko-sirian ka arritur në mbi 7 200, thanë zyrtarët. Këto shifra pritet të vazhdojnë të rriten pasi ekipet ndërkombëtare të shpëtimit kanë përshpejtuar përpjekjet mes motit të ftohtë, rrugëve të pakalueshme dhe ndërprerjeve të shërbimeve.
Ministri turk i Shëndetësisë njoftoi sot në mbrëmje se deri më tani, janë raportuar 5 434 të vdekur dhe mbi 31 000 të plagosur. Në Siri, ku sistemi shëndetësor dhe infrastruktura janë shkatërruar nga 12 vjet luftë, përditësimet mbi numrin e të vdekurve raportohen me vonesë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe organizatës së shpëtimit “Helmetat e Bardha”, në Siri, të paktën 1 800 persona kanë vdekur dhe 3 700 të tjerë janë plagosur. Ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit nga e gjithë bota zbritën në rajon, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj në 10 provincat më të goditura nga tëmeti në vendin e tij./ATSh