Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Mbi 27 mijë euro dëmi nga djegia e katër veturave në Prishtinë

Mbi 27 mijë euro dëmi nga djegia e katër veturave në Prishtinë

Katër vetura u përfshinë nga zjarri, e dëmi i shkaktuar pronarit të tyre është mbi 27 mijë euro. Por veç dëmeve materiale, nuk pati të lënduar.

Veturat i la të parkuara në këtë vend.

Por natën e së dielës, ato u përfshinë nga zjarri.

E zjarrfikësit dolën për të kryer punën e tyre.

Ndërsa në rrugën ‘’Shaqir Igrishta’’, Policia e Kosovës po merrej me rastin.

Kurse paraditen e së hënës, para veturave të djegura po qëndron pronari i tyre, Ilmi Çeshmexhiu.

Ai tregon për dëmin që iu shkaktua.

“N’4 e gjysë jam çu me falë sabahun, e kam ni sirenën edhe vijke flaka nalt, dritë vijke n’ballkon, sa jam dalë poshtë kam pa njerëz plot, polici. Dëm diku 27-8 mijë euro”, ka deklaruar ai.

Të shqetësuar u ndjenë edhe banorët tjerë.

“Shqetësimi ka qenë i gjithëmbarshëm, u mbledhëm pastaj edhe njerëzit, kështu që ka qenë një tmerr i madh t’u e pasë parasysh që mund të bëhej edhe djegia e renditur e veturave, e lokaleve por edhe e komplet bllokut”, ka deklaruar banori, Nezir Neziri.

Sipas Policisë, nga zjarri u dogjën tri vetura, një kamionetë dhe një rimorkio.

Përpos dëmeve materiale, nuk raportohet për ndonjë person të lënduar si shkak i zjarrit.

Megjithatë zjarri përfshiu edhe një pjesë të shtyllës dhe kabllon elektrike.

Ndaj në vendin ku ndodhi incidenti u panë edhe ekipet e KEDS-it.

“Veturat e kanë dëmtu kabllon elektrike,edhe kanë mbetë dy konsumatorë pa energji. Mirëpo KEDS-i ka dalë menjëherë në vend për ta rregulluar atë kabllo”, ka deklaruar Lulzim Krasniqi nga KEDS.

Si pasojë e zjarrit, janë dëmtuar edhe lokalet në katin përdhes të kësaj ndërtese.