Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka bërë një deklaratë tronditëse lidhur me konfliktet për pronat në Shqipëri, duke thënë se gjatë viteve të tranzicionit janë vrarë mbi 10,500 persona për shkak të mosmarrëveshjeve pronësore.
Në një intervistë për A2 CNN, Lapaj komentoi edhe ngjarjen e rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja, duke e lidhur këtë akt të rëndë me krizën e gjatë të pronësisë në vend.
“Po të mendosh sa vend i vogël jemi dhe sa shumë probleme prodhojmë në raport me pronën, duket sikur këtu jetojnë një miliard banorë. Mbi 10,500 njerëz janë vrarë për çështje pronësie, për një gardh, për një kanal”, u shpreh Lapaj.
Sipas tij, fajtorja kryesore për këtë situatë është klasa politike, e cila ka miratuar ligje të ndryshme dhe të papërputhshme gjatë dekadave të fundit, duke lënë pas një “plagë të hapur” që nxit përplasje mes qytetarëve.
Ai përmendi një sërë ligjesh, duke nisur nga ligji 7501 për ndarjen e tokës bujqësore, deri te ligjet për legalizimin e ndërtimeve pa leje, të cilat sipas tij janë përdorur politikisht dhe nuk kanë sjellë zgjidhje afatgjata.
“Për të njëjtën pronë mund të ketë edhe konflikt të trefishtë apo katërfishtë. Është politika ajo që i ka krijuar këto situata kaotike”, theksoi Lapaj.