Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Mbi 100 policë të lënduar nga demonstratat e 1 Majit në Francë

Mbi 100 policë të lënduar nga demonstratat e 1 Majit në Francë

Të paktën 108 zyrtarë policorë janë plagosur në përleshjet më protestuesit nëpër Francë, të cilët ishin grumbulluar në qytete të ndryshme për të protestuar kundër reformave për pensione.

Lajmin e ka konfirmuar ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, i cili tha se një numër kaq i madh i të plagosurve nga ana e policisë është një gjë jashtëzakonisht e rrallë, shkruan REL.

Ai gjithashtu bëri të ditur se 291 persona ishin arrestuar gjatë trazirave, transmeton KosovaPress.

Qindra mijëra njerëz morën pjesë në demonstratat e 1 Majit kundër reformave të presidentit Emmanuel Macron.

Shumica ishin paqësore, por grupet radikale hodhën bomba me benzinë dhe fishekzjarrë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë.

Nuk dihet se sa protestues kanë mbetur të lënduar.

Kjo është dita e fundit e protestave masive kundër ndryshimeve që rrisin moshën e pensionit shtetëror nga 62 në 64. Sindikatat kërkojnë tërheqjen e kësaj reforme.

Ministria e Brendshme tha se numri i përgjithshëm i demonstruesve ishte 782.000, duke përfshirë 112.000 protestues në kryeqytetin Paris, por sindikata CGT thotë se shifra është trefish më e madhe.

Në Paris, një zyrtar policor pësoi djegie të rënda në duar dhe fytyrë kur u godit nga një bombë me benzinë.

Dhuna shpërtheu edhe në Lion dhe Nantes dhe pati raportime se protestuesit e pushtuan përkohësisht një hotel luksoz në qytetin jugor të Marsejës.

/TV Arbëria

Powered by WordPress