Më shumë se gjysma e votuesve me të drejtë vote nga zgjedhjet e para një muaji do të kenë mundësinë të votojnë sërish sot, më 9 nëntor, në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjithsej 1 milion e 316 mijë e 672 votues në 18 komuna janë ftuar të marrin pjesë në balotazh për të zgjedhur kryetarin e tyre.
Procesi do të zhvillohet në 507 Qendra të Votimit, me gjithsej 1.628 vendvotime, të cilat do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00.
Komunat ku do të mbahet balotazhi janë: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
KQZ-ja ka bërë thirrje që qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të kontribuojnë në një proces zgjedhor të qetë dhe demokratik.