Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Mbështetja “parimore” e BE-së për Aleksandar Vuçiq-in

Mbështetja “parimore” e BE-së për Aleksandar Vuçiq-in

Shkruan : Afrim Kasolli

Ndonëse ka pasur kritika nga zyrtarë të BE-së ndaj intervenimit të Serbisë një zgjedhjet lokale të 12 tetorit në komunat me shumicë serbe, përsëri kanë munguar veprime më decisive kundër kësaj praktike, që në esencë e dëmton fillimisht pluralizmin demokratik të vetë serbëve të Kosovës, për shkak të mbështetjes nga Beogradi të Listës Serbe.

Kjo e fundit i fitoi 9 komuna pa balotazh, me përjashtim të asaj të Klloktit. Me qëllim që të favorizohet monopoli i këtij eniteti e ashtëquajtura zyre për Kosovë dhe Metohi, duke filluar nga vjeshta e ka rritur shumën financiare të shtesave sociale për prestarët e këtij komuniteti, si dhe vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq u zotua se do të hap vende të reja pune në sektorin e shëndetësisë. Të gjitha këto masa nuk janë asgjë tjetër pos forma brutale të korruptimit të vullnetit politik të qytetarëve serbë. E të mos flasim këtu për votimin kolektiv dhe në grupe, sidomos në komunat veriore një cenim ky i pa precedent i të drejtave individuale të votimit.

Sidoqoftë, përsëri ka dominuar një tolerancë e pashpjegueshme e Brukselit për këtë abuzim të regjimit të Aleksandar Vuçiq-it në kurriz të procesit zgjedhor në Kosovë. Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, në një prononcim mediumin Evropa e Lirë, ka pohuar “se fitore të tilla i duhen liderit serb. I përballur më protestat masive qytetare me sanksionet amerikane ndaj NIS(Industrisë së Naftës së Serbisë për shkak të lidhjeve me Serbinë ai e ka nevojshme që të tregojë para shoqërisë serbe se politika e tij po jep rezultate të paktën dikund”. Dhe siç dihet tema e Kosovës vazhdon te jetë një burim i rëndësishëm për të ushqyer retorikën nacionaliste të regjimit të Aleksandar Vuçiq-it. I njëjti do të mundohet që fitoren e Listës Serbe ta paraqes si rikthim të Serbisë në këto komuna.

Mirëpo, kjo nuk është tema e vetme që BE dhe komuniteti trans-atlantik në përgjithësi është treguar tolerante ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq . Prej se Serbia është përfshirë nga protestat masive fillimisht të studentëve dhe zgjerimit të tyre me një bazë të madhe qytetare, Brukseli nuk ka demonstruar ndonjë solidaritet domethënës me protestuesit.

Një qasje e tillë ka krijuar dyshime se ky entitet po i sakrifikon parimet demokratike për hir të interesave ekonomike. Natyrisht, nuk mund të përjashtohen këto prapaskena. Gjithsesi ndër arsyet tjera mbetet fakti se demokratizimi i brendshëm i Serbisë është temë e brendshme e këtij shteti. Ajo që për më shumë shqetësohet, si BE ashtu edhe SHBA, ka të bëjë me faktin se a paraqet ndonjë ndryshim “opozita protestuese” lidhur me rolin e shtetit serb sa i përket stabilitetit rajonal, por edhe normalizimit të raporteve me Kosovën. Dhe në këtë pikë si duket të njëjtit kanë dështuar të ofrojnë një alternativë. Përkundrazi, retorika e tyre nuk dallon aspak nga ajo e Aleksandar Vuçiq-it, për të mos thënë është edhe më retrograde.

Pra janë këto disa nga shkaqet e mbështetjes “parimore” të Brukselit por edhe të Uashingtonit për regjimin e Aleksander Vuçiq-t. Pse këto dy qendra të rëndësishme globale do të duhej ta sakrifikonin një lider të cilin e njohin mirë dhe që sipas kalkulimeve të tyre llogarisin se mund të jetë i dobishëm për projeksionet tyre gjeopolitike rajonale, me një disa liderë “opozitarë” të panjohur për ta dhe që nuk ka dhënë shenja që të paktën nuk do ta kenë të njëjtin rol sa i kryetari aktual serb? /TV Arbëria