Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Mbajtja e zgjedhjeve të brendshme nuk është çështje momentumi, por e zbatimit të statutit

Mbajtja e zgjedhjeve të brendshme nuk është çështje momentumi, por e zbatimit të statutit

Shkruan: Afrim Kasolli -Kam qenë nga ata që në disa raste e kam ngritur për diskutim hezitimin e (pa) qëllimshëm të strukturave të PDK-së për ta zvarritur deri në pafundësi mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në kundërshtim flagrant me obligimet e statutit.

Shpërfillja e këtij dokumenti ka ndikuar që sot kjo parti të drejtohet nga struktura pa mandat legjitim. Sepse një gjë e tillë është e shkruar qartë në statutin e këtij subjekti. Kurse vazhdimi i kësaj anomalie, nuk është asgjë tjetër, pos legalizim i ilegalitetit. Për më tepër drejtuesit e saj nuk e përfaqësojnë askënd. Ngase vullneti mbi të cilin ata e kishin fituar mandatin ka skaduar.

Shkurt e shqip, kemi të bëjmë me një pengmarje politike të vullnetit të anëtarësisë. Ndërkaq, sipas rregullave të KQZ-së një parti që nuk i respekton obligimet e demokracisë së brendshme i ndalohet edhe pjesëmarrja në procesin zgjedhor në nivel nacional , kurdo që ai zhvillohet.

Mirëpo, edhe përkundër adresimit të kësaj çështje delikate, kjo parti e zhvillonte rrugëtimin e saj nga frika prej demokracisë. Thuajse nuk po ndodhte asgjë, deri sa para dy netëve më herët dy deputetë të saj u përballën drejtpërdrejtë në një studio televizive nga analistët prezentë mbi këtë temë. Dhe kuptohet para kamerave më nuk mund të fshiheshin. Mirëpo, arsyetimi i tyre ishte pikërisht ai që nuk duhet të jetë.

Deputetja, Deliu përafërsisht pohoi se “ato do të mund të mbahen kur të krijohet një momentum i përshtatshëm”. Mbase janë justifikime të tilla që dëshmojnë më shumë se asgjë tjetër, mbi rrezikun që po i kanoset kësaj partie nga mendësia voluntaristë dhe arbitrare. Sepse zgjedhjet e brendshme në një parti nuk janë as çështje momuntumi, as vullneti të klikave të ngushta partiake, apo peng i rrethanave të jashtme. Ato janë obligim statutar. Detyrim për ta respektuar kushtetutën  e brendshme të partisë, këtij dokumenti që e kanalizon vullnetin e anëtarësisë .

Madje kjo qasje e shpërfaq edhe paradoksin tjetër të zyrtarëve të kësaj partie, ngarendjen e tyre për t’u lavdëruar me fitoret kushtetuese të saj, në institucionin më lartë juridik në vend. Në fund të fundit ato janë meritë vetëm e një avokati. Puna e më madhe e deputetëve të partisë në këto raste ka qenë vetëm hedhja e nënshkrimeve në letër.

Prandaj, të krenohesh me këto suksese deri sa i shkel rregullat e brendshme, do të thotë ta përqafosh me vullnet politik atë që lufton si gabim proceduralisht. Dhe një çarje e tillë e bënë të dyshimtë të ardhmen demokratike të kësaj partie nëse vazhdon të drejtohet nga mendësi.

/TV Arbëria

Themes by WordPress