Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Mbajtja e Euro 2024 në kohën e forcimit të së djathtës ekstreme

Mbajtja e Euro 2024 në kohën e forcimit të së djathtës ekstreme

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Sot fillon njëra nga ngjarjet më të rëndësishme sportive, ajo e Euro 2024. 24 ekipe kombëtare do të garojnë, rivalizojnë dhe luajnë kundër njëra tjetrës për një muaj, ku njëra prej tyre në fund do ta fitojë trofeun e kësaj gare.

 

Futbolli është njëri nga llojet me masive të sportit. Dhe në asnjë kompeticion tjetër sikur së në këto gara nuk mplekset politika, nacionalizmi, ndjenjat kolektive të krenarisë kombëtare, emocionet e përbashkëta të tribalizimit dhe patriotizmit etj etj.

 

Madje, jo pak herë tribunat e stadiumeve kanë shërbyer si burim i mobilizimit politik. Shumë kujt mund t’i kujtohet se manifestimi më i hapur i agravimit të tensioneve ndër-etnike në ish-Jugosllavi, kishte gjetur shprehje eksplicite në këtë terren. Kurse Serbia është një shembull tipik i përdorimit të huliganizmit në futboll për qëllime politike. Fansat e tribunave të klubeve të ndryshme sportive në vazhdimësi janë instrumentalizuar nga Partia Progresive Serbe, e presidentit aktual, Aleksandar Vuçiq, duke ekspozuar hapur parulla kundër Kosovës, pro Rusisë etj etj. Ndërkohë, këtë martesë politike ndërmjet huliganizmit, futbollit dhe nëntokës kriminale, e kishte ekspozuar kohë më parë gazeta e njohur amerikane, “The New York Times magazine” në artikullin “The President, the Soccer Hooligans and Underwold “House of Horrors”.

 

Sidoqoftë, kjo puqje ndërmjet sentimenteve politike djathtiste dhe tifozerisë së ekipeve nacionale të futbollit ka gjasa që të marr përmasa serioze sidomos në kampionatin Euro 2024, edhe për shkak të kontekstit politik që po kalon kontinenti. Fillimisht, ka të bëjë më vazhdimin e luftës në Ukrainë.  Ndonëse Federata Botërore e Futbollit (FIFA) dhe Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) i kanë pezulluar klubet ruse dhe ekipin kombëtar rus nga të gjitha garat, megjithatë nuk përjashtohet mundësia që impakti i kësaj ngjarje të këtë ndikim në këtë atmosferë përndezëse publike. E dyta për shkak të konfliktit në Rripin e Gazës ndërmjet shtetit të Izraelit dhe grupit militant palestinez të Hamasit si dhe numrit të madh të viktimave që ka prodhuar kjo luftë. Me këtë rast nuk duhet harruar faktin se jo shumë kohë më parë shumë kampuse universitare në shumë universitete perëndimore u përfshin nga protestat studentore  kundër shtetit të Izraelit. (Ndonëse shumë këto protesta nuk mund të kategorizohen në spektrin ideologjik të djathtës ekstreme, përjashto disa thirrje antisemitike).

 

Por më kryesorja këtu duhet potencuar faktin tjetër se para pak dite përfunduan zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Dhe rezultati i tyre dëshmoi një ngritje spektakulare  të së djathtës ekstreme sidomos në tri shtetet kryesore Bashkimit Evropian, si në Francë, Gjermani dhe Itali. Shtete këto, ekipet e të cilave do jenë pjesë e kësaj gare. Kështu partia, Marine Le Pen-it, Marshi Kombëtar, e udhëhequr prej Jordan Bardellas, doli e para, me mbi 30 për qind të votave. Dhe kjo parti nuk ka shënuar asnjëherë kësi suksesi. Ndërkohë,  partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, ka dalur e dyta në këtë shtet me 16.5 për qind të votave, në krahasim me 11 për qind sa i  ka pasur në zgjedhjet e vitit 2019. Shtet ky, edhe cili do të jetë nikoqir i kësaj gare.  Suksesi elektoral nuk i ka munguar as partisë, Vëllezërit e Italisë, të drejtuar nga kryeministrja, Giorgia Meloni.

 

Në këtë kontekst, kurrë më shumë se në këtë kampionat nuk janë shtuar gjasat reale që këto pirje dominante politike populiste, nativiste dhe djathtiste të manifestohen hapur. Dhe po ashtu që këto parti të tentojnë maksimalisht ta shfrytëzojnë  këtë atmosferë konkurruese sportive nën logon e ekipeve nacionale në dobi të interesave të  tyre politike. Sepse është dëshmuar disa herë që grupet ekstremiste të së djathtës i kanë përdorur stadiumet për të rekrutuar anëtarë, manifestuar propagandën e tyre si dhe për t’i koordinuar aksionet e përbashkëta “ndërkombëtare”. E kampionate sikur Euro 2024, për shkak të natyrës së tyre, mund  të shërbejnë si terren pjellor edhe për këto qëllime./Arbëria TV/