Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Matoshi: ‘Open Balkan’ ishte projekt serb, administrata amerikane nuk ka interesim për një nismë të tillë

Matoshi: ‘Open Balkan’ ishte projekt serb, administrata amerikane nuk ka interesim për një nismë të tillë

Në vitin 2019 kishte filluar një nismë rajonale ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë e quajtur “mini-shengeni” ballkanik ose Ballkani i Hapur. Qëllimi i saj ishte intensifikimi i mallrave, kapitalit dhe lëvizjes së njerëzve. Ndër kritikat kryesore, sidomos nga Kosova ishte se si e tillë ajo i shërben interesave ekonomike të Serbisë dhe po ashtu tenton ta relativizojë rolin e Procesit të Berlinit. Ndaj “Ballkanit të Hapur” përpos Kurtit një qëndrim kritik ndaj kësaj nisme kishin mbajtur partitë opozitare, shkruan TV Arbëria.

Mirëpo, me marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar nga ish-kryeministri Hoti dhe ish- presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë me 4 shtator të vitit 2020, Kosovës i kërkohet që të bëhet pjesë e “zonës së mini-Schengenti” dhe t’i shfrytëzojë plotësisht përfitimet nga ajo.

Lidhur me këtë çështje, analisti Halil Matoshi, në një prononcim për TV Arbëria deklaroi se Projekti ‘Open Balkan’ ishte projekt serb që i akomodonte disa aspekte të ‘Botës serbe’.

“Projekti Open Balkan ishte një projekt serb që i akomodonte disa aspekte të ‘Botës serbe’ – pra, ishte “zgjidhje ballkanike” (edhe pse e përkohshme) e jo zgjidhje europiane”, është shprehur ai.

Matoshi potencon se amerikanët në parim i dhanë mbështetje, më pas e kundërshtuan këtë nismë, duke e quajtur si letër lakmuese për Vuçicin.

Më tej, ai i bindur thotë se Vuçic e ka bërë një premtim tek amerikanët, për dalje nga orbita ruse, që në një dokument sekret të BE-së, cilësohej si “politikë e hapave të vegjël”.

“Amerikanët i dhanë gjysmë mbështetje në parim dhe e kundërshtuan dyzash (diskursi i dikhotomisë) Open Ballkan-in, si letër lakmuesi për Vuçić-in, pra si projekt për një përdorim:

– derisa të përfundojë koha e blerë nga ta për Serbinë për qëndrim në dy ulëse (Perëndim hem Rusi) sepse ashiqare që Vučić e ka bërë një premtim tek amerikanët, për dalje nga orbita ruse, që në një dokument sekret të BE-së, cilësohej si “politikë e hapave të vegjël”, tha Matoshi.

Mes tjerash, ai thekson tre nga argumentet për të cilat Gabriel Escobar atëbotë nuk ua prishi ‘qefin’ eprorëve të Ballkanit, por sipas vlerësimit të Matoshit i njëjti nuk e fajësoi Kosovën për qëndrimin kundër.

Tre ishin argumentet me të cilat Gabriel Escobar atëbotë nuk ua prishi qefin ballkanasve dhe njëkohësisht nuk e fajësoi Kosovën për qëndrimin kundër:
a) Të gjithë dhe të barabartë (Parimi i sovranitetit të pjesëmarrësve);

b) Jo projekt politik por ekonomik!(Parimi i besueshmënisë që âsht postulat politik);

c) Janë disa nisma rajonale dhe nuk pranohet DUBLIFIKIMI; (Parimi i legalitetit të BE-së në qendër – Procesi i Berlinit);.

Ndërkaq, Matoshi thotë se nga administrata Trump përveç Rich Grenellit, askush tjetër nuk e kishte përmendur këtë projekt.

“Ç’është e vërteta, nga administrata Trump përveç Rich Grenellit, askush nuk e kishte përmendur këtë projekt, që kishte autorë Edi Ramën, Hashim Thaçin dhe Aleksandar Vučić-in dhe ndihmën e veçantë të Dritan Abazović”, tha ai.

Sipas tij, Kosova ka bërë mirë që nuk i është bashkuar kësaj nisme.

“Kosova ka bërë mirë që nuk i është bashkuar këtij projekti, kësisoji ai vdiq siç pata paralajmëru më 2022.”

Ai theksoi se pas gjashtë muajsh kryeministri i Shqipëris Edi Rama e shpalli të vdekur këtë projekt, dhe kjo i dha impuls riaktivizimit të Procesit të Berlinit.

“Gjashtë muaj ma vonë Rama e shpalli t’vdekun. Dhe kjo i dha impuls riaktivizimit të Procesit të Berlinit.”

Ndërkohë, Matoshi deklaroi se në administratën amerikane nuk ka interesim për një nismë të tillë, pasiqë Trump do t’i shtyjë palët të zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit.

“Nuk ka interesim më në administratën amerikane për diçka të tillë, sepse Trump do t’i shtyjë palët ta zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit (Ohrit)”, përfundoi Matoshi për TV Arbëria.

Powered by WordPress