Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme me anë të shkrimit “Në dy vjetorin e sulmit në Banjske, Serbia gjithnjë e më afër SHBA-ve, kurse Kosova gjithnjë e më larg nga partneri kryesor strategjik” kam vënë në pah, se si mjerisht vendi ynë edhe pse viktimë e një ataku paramilitar të mbështetur dhe orkestruar ekskluzivisht nga shteti serb, nuk ia ka dalur që ta shndërrojë në fitore diplomatike atë ngjarje.
Asgjë nuk e konfirmonte më shumë këtë prapakthim se sa fakti se pikërisht në dy vjetorin e saj, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, si dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u takuan në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe sipas vetë top diplomatit të SHBA-ve, ata kanë biseduar për fillimin e dialogut strategjik ndërmjet dy vendeve. Ndërkohë, jo shumë ditë më parë, Ambasada Amerikane në Prishtinë nëpëmrmjet një komunikate bëri të ditur se Uashingtoni e ka pezulluar të njëjtën dialog me Kosovën. Sipas shumë diplomateve kjo kthesë radikale erdhi si pasojë e sjelljeve të Qeverisë në detyrë si ndaj Listës Serbe, ashtu edhe sulmeve brutale nga Albin Kurti dhe vartësit e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Por ky tjetërsim i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve spikat më shumë se çdo herë tjetër nga mashtrimi optik se Presidentja Osmani është takuar më Sekretarin amerikan të shtetit, Marco Rubia. E njëjta e ka prezantuar një fotografi ku shihet së bashku me të, të shoqëruar vetëm nga fjalët “Me sekretarin Rubio, një bisedë përmbajtësore mbrëmë në kuadër të pritjes së organizuar nga presidenti [amerikan, Donald] Trump” por pa dhënë asnjë detaj tjetër se për çka është fjala. Kjo gjuhë mistike e të parës së shtetit, mbase rrjedh edhe nga pretendimi i saj, se është njëri nga personat e përzgjedhur nga SHBA-të, edhe në nivel global, ku superfuqia planetare ndan vetëm më të informata super sensitive sekrete, e të cilat ajo është e detyruar t’i mbajë të groposura në thellësitë e qenies e saj të mos i ndajë me “vdekatarët e rëndomtë” të shtetit që e drejton
Sidoqoftë, e vërteta e trishtë është se Sekretari amerikan, Rubio nuk është takuar me presidenten Vjosa Osmani. Sepse po të ishte e kundërta, si do ta prezantonte atë në platformën e tij X si dhe temat që i kanë bashkëbiseduar, ashtu siç e ka bërë me presidentin serb, Aleksandër Vuciq. Por jo vetëm më të. I njëjti i ka bërë publik në rrjetin e tij social, të gjitha takimet diplomatike qe i ka zhvilluar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mirëpo mungon ai me Vjosa Osamanin. Një dëshmi kjo se tëra që ka ndodhur, ka qenë mbase një fotografi e momentit, vetëm nga ngarendja e presidentja që ta ketë si trofe diplomatik për nevoja të brendshme politike. /TV Arbëria
