Në lidhje me debatin e ditëve të fundit, MASHT-i ka njoftuar se “s’ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual”.

 

“Në lidhje me debatin e ngritur ditëve të fundit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual e as tekste shkollore ku fëmijët mësojnë për edukimin seksual siç është raportuar e përfolur këto dy ditë. Në Kosovë ndryshimet kurrikulare kanë nisur në vitin 2001. Gjatë viteve 2008-2016 janë miratuar dhe hartuar Korniza e Kurrikulës së Kosovës, kurrikulat bërthamë dhe programet lëndore. Në kuadër të kurrikulës së saj arsimore, në përputhje me standardet evropiane të përcaktuara nga OBSH, Kosova ka përfshirë edukimin seksual në kurrikulën e saj arsimore përmes kompetencës “Individ i shëndosh,”. Edukimi seksual trajtohet si çështje ndërkurrikulare, përmes lëndëve të ndryshme mësimore, prej përspektivave të ndryshme, në kontekstin shkencor, shoqëror-kulturor dhe shëndetësor me qëllim mbrotjen e fëmijëve dhe të rinjve nga rreziqet e shumta që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre”, thuhet në reagimin e MASHT-it.

 

Ministria ka njoftuar prindërit se këta doracakë nuk janë obligativ dhe s’jane tekste mësimore për nxënësit, ndërsa reagimet e ditëve të fundit, Ministria e drejtuar nga Nagavci i ka quajtur “propagandë dhe dezinformata e manipulime”.

 

“MASHTI njofton prindërit, palët e interesit se këta doracakë nuk janë obligativ dhe nuk janë tekste mësimore për nxënësit. Propaganda që po zhvillohet ditëve të fundit, shoqëruar me dezinformata dhe manipulime duke konstatuar se këta doracakë janë kurrikula arsimore e pastaj duke i paraqitur si libra shkollorë për nxënës e deri tek obligueshmëria e zbatimit të tyre, është në dëm të mirëqenies dhe sigurisë së fëmijëve. Si Ministri e Arsimit, me përgjegjësi të plotë punojmë dhe angazhohemi për mirëqenien e fëmijëve. Tre vitet e fundit kemi rishikuar shumë tekste dhe dokumente që kanë përmbajtje dhe gjuhë të papërshtatshme dhe denigruese sikurse edhe pasaktësi shkencore. Në linjë me këtë, ju informojmë se në vijimësi të rishikimit të teksteve shkollore, do të rishikohen edhe këta doracakë dhe materialet tjera informative për mësimdhënës”, thuhet në reagimin e MASHT-it në Facebook.