Masat e fundit nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara të Hagës ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kanë ndezur reagime të forta. Vendimi për t’i ndaluar vizitat është cilësuar si i padrejtë dhe pjesë e një loje të qëllimshme.
Për këtë çështje është deklaruar edhe ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj. Ai në një prononcim për GazetaBlic, e ka cilësuar gjykatën dhe prokurorinë si institucione të pozicionuara kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së, duke thënë se trajtimi i tyre po bëhet në mënyrë të padrejtë dhe të njëanshme.
“Për mua nuk është aspak befasuese, sepse kjo gjykatë dhe kjo prokurori panë që askush nuk është i interesuar për ata djem që janë atje. Kështu, të paktën, e jep Kosova fotografinë. E kjo gjë është se ne ishim pak UÇK, e kjo gjë është se ishim pak që e deshëm lirinë, dhe më e keqja është se shumë të tjerë po e shfrytëzojnë lirinë, e prapë nuk janë mirënjohës, gjë që është sërish e keqe. Unë mendoj që ajo gjykatë dhe ajo prokurori janë kundër djemve tanë që janë atje pa të drejtë, me mundje dhe duke përdorur forcën që ata e kanë, qoftë ekonomike, qoftë politike dhe me përkushtimin e mbrojtësve që po e bëjnë punën e tyre aq sa po iu jepet e drejta dhe mundësia. Kjo nuk ka shpjegim në asnjë gjykatë, qoftë edhe ajo për çka ata thirrën. Nuk është detyrë e familjarëve e vizitorëve të përkujdesen edhe për daljen e fakteve. Ata kanë vita shumë të detajuara e të kontrolluara, me përkthyes të aty për atyshëm, që kanë ndikimin e hapur edhe me roje me ndikim, dhe prapë ata po thonë: “Po na dalin informacionet”, tha ai.
Haradinaj ka theksuar se i vetmi dënim që mund të aplikohej ndaj të burgosurve, brenda një procesi gjyqësor, është ndërprerja e vizitave aty për aty.
“I vetmi dënim që do të mund të merrej me ata, po e zëmë në proces gjyqësor, është ndërprerja e vizitës aty për aty. E pashë numrin se sa vizitorë ata duan t’i ndalojnë, por pyetja është: a i kanë ndaluar këta ndonjëherë? A është ndërprerë ndonjëherë ndonjë vizitë me këta persona aty për aty? Sepse vizitat mund të ndërpriten, kanë të drejtë. E shohin që po del sekreti dhe e ndërpresin vizitën, edhe kurrgjë s’është pastaj jepet një vërejtje. Por këta nuk kanë marrë asnjë vërejtje, asnjë ndërprerje të vizitave nuk e kanë. Por, çka është më tepër, këta janë duke bërë lojëra për t’i arsyetuar, sepse tash po vijnë nëntori dhe dhjetori. Para ambasadorëve të shteteve që këta i kanë aty, duhet të japin një raport dhe arsyetim që të marrin edhe një buxhet për një vit tjetër. Që t’i vazhdohet rruga kësaj gjykate, viktimizojnë djemtë tanë atje”, tha ai.
Haradinaj shpreh dyshime të forta se kufizimet ndaj vizitave nuk janë vetëm procedurale, por mund të jenë pjesë e një “loje” të prokurorisë.
“Unë po dyshoj që është lojë e prokurorisë, sepse ata asnjëherë nuk e kanë treguar, por zoti Thaçi ua ka refuzuar atyre vizitat vetë për 5 javë, nuk ka pranuar asnjë vizitë kur u kanë marrë masat ndaj tyre. Ka qenë Thaçi që i ka refuzuar të gjitha vizitat, edhe ato telefonike, edhe bisedat, as në telefon s’ka folur kur ia kanë reduktuar. Kështu që unë po dyshoj mos Thaçi, për shkak të atyre, ua ka reduktuar këtyre jo me emra, por dyshoj që është lojë e prokurorisë këtu. Sepse Thaçi është individ me karakter shumë të fortë atje, dhe unë kam të drejtë kur flas këtu, sepse i njoh të gjithë ata atje për nga karakteri dhe, normalisht, bëj edhe krahasime të përbashkëta që i kam nga përvoja në burg, dhe e di saktë karakterin e njerëzve. Bile këtu nuk gaboj fare, në raport me padrejtësinë flas unë”, shprehet ai.
Ndër të tjera, Haradinaj paralajmëron edhe një protestë së shpejti, kurse shtoi se do të ketë një njoftim për datën e saj.
“Së shpejti do të merrni vesh datën për protestën e ardhshme, që do të bëhet së bashku me njerëz që e kuptojnë lirinë. Nuk është patjetër e nevojshme të merren organizatat e veteranëve, nuk është patjetër të thërrasë dikush publikisht. Por unë ftoj të gjitha organizatat joqeveritare, kushdo qoftë, që të marrin iniciativën; patjetër që do t’u bashkohen edhe veteranët, edhe të burgosurit politikë. Unë jam edhe i burgosur politik, jam edhe në shoqatën e të burgosurve politikë. E kam pasur një fat në fatkeqësi që kam dy përfaqësime: edhe si veteran, edhe si i burgosur politik. Prandaj dëshiroj që, edhe si qytetar, dhe besoj që do të jetë e tipit “Liria ka Emër”, të dalin edhe ata organizatorë vetë dhe të organizojmë një protestë të paktën sa ajo, e në mos më shumë se ajo”, përfundon ai.