Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Masakra e Abrisë, Osmani: Jemi të përkushtuar për të vendosur drejtësi

Masakra e Abrisë, Osmani: Jemi të përkushtuar për të vendosur drejtësi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 26-vjetorin e Masakrës së Abrisë.

Teksa ka përmendur masakrën ndaj 23 anëtarëve të familjes Deliu, Osmani ka thënë që jetët e tyre u morën mizorisht, por që kujtimi për ta është i përhershëm, raporton gazeta online Reporteri.net.

Njëherit, presidentja ka thënë që janë të përkushtuar për të vendosur drejtësi për masakrën e Abrisë.

“26-vjet më parë, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu masakrën brutale ndaj 23 anëtarëve të familjes Deliu, nga fëmija 2 vjeç, të rinj, gra e deri te plaku 94 vjeç. Jetët e tyre u morën mizorisht, por kujtimi për ta është i përhershëm. Nuk do të harrojmë kurrë. Jemi të përkushtuar për ta ruajtur kujtesën për ta, sikurse edhe për të vendosur drejtësi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Po ashtu, Osmani ka nderuar edhe sakrificën e dëshmorëve të UÇK-së, Valdet Xhemajlin, Vesel Demakun dhe Afrim Hajdarin.

“Sot, nderojmë edhe sakrificën heroike të dëshmorëve të UÇK-së Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari, të cilët ranë në altarin e lirisë, duke mbrojtur dinjitetin dhe të ardhmen e Kosovës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët dhe dëshmorët e Abrisë!”, thuhet në përfundim të postimit.