Masat rekomanduese dhe autobusë të rinj ekologjik, nuk e kanë nxjerrë dot Shkupin nga lista e qyteteve më të ndotura në botë.
Hapi i ardhshëm i qeverisë në betejën për ajër më të pastër është implementimi i projektit me automjetet 100% elektrike.
Ky sistem do të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën e transportit urban, duke ofruar një zgjidhje moderne, ekonomike dhe miqësore ndaj mjedisit.
Ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska, u shpreh se ky projekt është një hap i rëndësishëm për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe për të tërhequr investime private.
“Po e vendosim Shkupin në hartën e qyteteve moderne që jo vetëm flasin për qëndrueshmëri, por edhe hedhin hapa të guximshëm drejt saj. Institucionet publike dhe sektori privat mund të krijojnë së bashku projekte që përmirësojnë drejtpërdrejt realitetin e përditshëm të qytetarëve tanë. Ky projekt është dëshmi se teknologjia mund të jetë në shërbim të njerëzve dhe planetit”,- tha Sanja Bozhinovska, ministre e energjetikës.
Nga ana tjetër, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, theksoi rëndësinë e projektit për përmirësimin e mjedisit urban.
“Qyteti ynë ka kohë që përballet me pasojat e ndotjes urbane. Me këtë projekt, ne synojmë të reduktojmë ndjeshëm emetimet e CO₂ dhe ndotjen. Si Ministri e Mjedisit Jetësor, detyra jonë është të mbështesim zgjidhje inovative që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe mjedisin”,-tha Izet Mexhiti, Ministër i mjedisit”, tha Izet Mexhiti, Ministwr i Mjedisit Mjedisor.
Përfaqësuesi i kompanisë “Avant Car”, Matej Çer, foli për rëndësinë e këtij sistemi dhe përvojën e kompanisë në vendet e tjera.
“Me projektin ‘Avant2Go’ në Slloveni, Kroaci dhe Austri, ne kemi treguar se automjetet elektrike janë një zgjidhje e mundshme dhe e suksesshme. Tani po sjellim këtë përvojë edhe në Maqedoni, duke inkurajuar përdorimin e automjeteve elektrike dhe zhvillimin e infrastrukturës së nevojshme”,-tha Matej Çer, përfaqësues i Avant Car.
Projekti do të fillojë me sigurimin e hapësirave publike dhe private për parkimin dhe instalimin e mbushësve elektrikë në disa nga komunat e Shkupit, përfshirë Aerodromin, Çairin dhe Gazi Babën.